Dështon takimi i Komisionit për Reformën Zgjedhore

Ndonëse ishin të pranishëm përfaqësues të subjekteve politike, megjithatë mos prezenca e kreut të PDK-së, Hashim Thaçit ka bërë që të dështojë mbledhja e Komisioni për Reformën Zgjedhore.
Kryetari i Komisionit, Haki Demolli, tha se nuk e dinë arsyen e mungesës së Hashim Thaçit.
“Ne i kemi pasur qëndrimet e subjekteve tjera politike, mirëpo ne si Komision më tepër kemi qenë të interesuar në qëndrimet apo propozimet konkrete të PDK-së dhe LDK-së. Mirëpo, ne deri më tani nuk e dimë arsyen pse nuk erdhi përfaqësuesi i PDK-së edhe pse e pritën rreth 30 minuta”, tha Demolli, siç transmeton RTK.
Në anën tjetër, përfaqësuesi i PDK-së, Halit Krasniqi, që njëherësh është edhe nënkryetar i Komisionit, mungesën e shefit të tij e arsyeton me neglizhencën e administratës së Kuvendit të Kosovës.
“Ka munguar një komunikim i Administratës së Kuvendit me Administratën e Qeverisë, përkatësisht me kabinetin e Kryeministrit dhe nuk ka asnjë arsye tjetër për mungesën e Kryeministrit në këtë takim”, sqaroi Krasniqi.
Në këtë takim do të duhej të diskutoheshin propozimet e subjekteve politike rreth numrit të zonave, listave të hapura dhe të mbyllura, pragun zgjedhor si dhe sistemin e ndarjes së ulëseve në Parlament. Ndërkaq, mbledhja e radhës pritet të mbahet gjatë javës së ardhshme.