E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ishte vetëmbrojtje

Sekretari i Përgjithshëm i NATO’s, Anders Fogh Rasmussen ka thënë se serbët e Veriut sulmuan ushtarët e KFOR’it. Megjithëkëtë, ai u shpreh se Aleanca mbetet e përkushtuar për ta ruajtur paqen dhe stabilitetin në Kosovë.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO’s, Anders Fogh Rasmussen ka shprehur lëvdata të hënën në Bruksel për ushtarët e KFOR’it dhe mënyrën se si e kanë zhvilluar operacionin e heqjes së barrikadave në javën e kaluar në Veri të Kosovës.

Duke folur për konfrontimin e ushtarëve me radikalët serbë, Rasmussen ka thënë se “trupat tona kanë vepruar në vetëmbrojtje”.

Ai ka siguruar se KFOR’i do të zbatojë mandatin për të ofruar liri të lëvizjes për të gjithë.

Të premten, dy ushtarë të KFOR’it dhe të paktën tre serbë lokalë janë plagosur gjatë aksionit të Forcës Paqeruajtëse për heqjen e barrikadave në Rudar afër Zveçanit.

Aksioni për heqjen e barrikadave në rrugë të vendosura nga serbët e Veriut është përcjellë me tensione.

Njësitë e KFOR’it kanë përdorur makinerinë e rëndë dhe ekskavatorët, me qëllim të heqjes së barrikadës në Rudar.

Por, me të nisur aksionin, strukturat paralele të pushtetit serb kishin lëshuar alarmet, me çka i sinjalizuan banorët serbë që të dalin në mbrojtje të barrikadës së ngritur.

Për heqjen e barrikadës në Rudar, KFOR’i është detyruar të përdorë edhe gazin lotsjellës për shpërndarjen e turmës së njerëzve të revoltuar. Me rritjen e tensioneve, KFOR’i ka përfshirë në aksion edhe helikopterët.

Po të hënën, për situatën në Veri ka folur edhe Kryetari i Parlamentit të Kosovës, Jakup Krasniqi.

Kryeparlamentari Krasniqi, në një konferencë për media, pas mbledhjes së Kryesisë, ka thënë se Qeveria e Kosovës ka marrë iniciativë për formimin e një zyre ekzekutive në përpjekje që hap pas hapi të realizohet zbatimi i dokumentit gjithëpërfshirës të Presidentit Ahtisari, të cilën e vlerësoi si iniciativë të mirë.

Por ai ka thënë se edhe iniciativa e KFOR’it për të hequr barrikadat, është e duhur dhe duhet të vazhdojë me largimin e të gjitha barrikadave, për të siguruar një lëvizje të lirë të njerëzve.

“Kosova duhet të bisedojë me të gjithë qytetarët dhe të përpiqet për të ngritur kualitetin e jetës së tyre në cilëndo pjesë të Kosovës. Ne këtë e shohim pozitive, edhe heqjen e barrikadave nga NATO’ja dhe gjithë barrikadat që janë vendosur duhet të hiqen, për t’u garantuar liria e lëvizjes së njerëzve dhe mallrave”, ka theksuar Krasniqi.

I pyetur se a është kundër përfshirjes së Beogradit në dialogun e Qeverisë së Kosovës me serbët e Veriut, Krasniqi ka thënë se nuk ka ndonjë informacion të tillë, përveç asaj që është shkruar në mediat.

“Në rend të parë, ne nuk kemi asnjë informacion dhe asnjë kërkesë që çon në këtë drejtim, dhe ajo që thuhet në media, ne nuk kemi për obligim të komentojmë”, ka theksuar ai.

Gjithashtu, ai ka thënë se komuniteti ndërkombëtar, në mënyrë të veçantë Brukseli, duhet të ketë një komunikim më të ashpër që të detyrojë Beogradin të shpërbëjë strukturat paralele.

Ai ka sugjeruar edhe politikën kosovare që të ketë kujdes me politikën serbe, pasi siç ka thënë ai, kjo politikë e Serbisë gjithnjë ka prodhuar dhunë.

“Ne e dimë që politika serbe është përpjekur me dekada në mënyrë selektive të krijojë shqiptarë të ndershëm dhe të pandershëm, dhe ne i dimë rezultatet e asaj politike. Politika shqiptare në asnjë formë nuk duhet të jetë në gjurmët e politikës së serbëve, e cila ka prodhuar vetëm dhunë”, ka deklaruar kryeparlamentari Krasniqi.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›