E Shtunë, 31 Tetor 2026

Serbët kundër USAID-it

Nga Express më 12 prill 2011 në ora 21:39

Për serbët e Veriut të Kosovës është e papranueshme mënyra se si po përpiqet t’i realizojë projektet e veta Agjencia për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara (USAID), në këtë pjesë të Kosovës, vlerësojnë politikanët serbë në veri të vendit. Ata thonë se kjo ka qenë arsyeja pse serbët lokalë në Zveçan, më 8 prill, kanë bllokuar rrugën Prishtinë-Mitrovicë, gjë që e pamundësoi takimin e përfaqësuesve të USAID-it me kompanitë e ndryshme ndërtimore në Veri. Dragisha Millovic, udhëheqës i serbëve në Zveçan, thotë se mënyra se si USAID-i po punon në veri të Kosovës, është jo e përshtatshme. “Mendimi im personal është se ky është një tentim që të depërtohet përmes, siç thuhet, një dere të vogël. Po tentohet që përmes institucioneve të Prishtinës, të cilat ne nuk i njohim, të zbatohen projektet e tilla, si dhe të gjenden serbë të përshtatshëm, të cilët do t’i pranonin këto projekte”, thotë Millovic. Marko Jakshic, po ashtu politikan serb dhe nënkryetar i të ashtuquajturit Kuvend i Bashkësisë së Komunave Serbe në Kosovë, thotë se qëndrimi i udhëheqësve serbë të Veriut është se investimet e USAID-it në Veri nuk janë në dobi të popullatës serbe, por për ndërtimin e, siç thotë ai, shtetit shqiptar atje. Ndërkaq, Xheraldina Cernobregu, përgjegjëse për informim në Agjencisë për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara thotë se qëllimi i projekteve të kësaj agjencie është përmirësimi i jetesës së qytetarëve, të cilët jetojnë në veri të Kosovës. “USAID-i do të vazhdojë të punojë edhe më tutje në Veri. T’i shikojmë mundësitë e tjera, ndërmjet partnerëve tanë, që të vazhdojmë punën dhe kontributin tonë në këtë anë të Kosovës”, thotë Cernobregu.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›