Rotary Club Prishtina ndihmon Pediatrinë
Klinika e Pediatrisë së Qendrës Klinike dhe Universitare të Kosovës (QKUK) ka përfituar të hënën një donacion nga Rotary Club Prishtina, me ç’rast kjo organizatë ka dorëzuar për 170 shtretër të Klinikës 170 jorganë e jastëkë dhe nga dy komplete me çarçafë e mbulesa, si dhe tri lavatriçe. Në kuadër të ndihmave të saj në shumë sektorë, drejtuesit e Rotary Club Prishtinës kanë thënë se duke parë gjendjen e vështirë në klinikë, edhe kanë vendosur që të ndihmojnë me disa gjëra elementare.
Kurse drejtori i Klinikës së Pediatrisë në QKUK, Murat Zejnullahu ka thënë se ky donacion përpos që mbulon dhe liron QKUK-në, Ministrinë dhe Qeverinë prej shumë mjeteve harxhuese, sjell edhe lehtësim për prindërit që më nuk kanë nevojë të sjellin mbulesa nga shtëpitë e tyre. Me gjithë vonimin e renovimit të Klinikës së Pediatrisë, drejtori Zejnullahu shprehu besimin se deri në vjeshtë do të përfundojnë të gjitha punimet në këtë klinikë.
Edhe zyrtari i lartë për pasuri në QKUK, Mustafë Bërbatovci ka falënderuar Rotary Club Prishtinën duke thënë se QKUK-ja nuk ka pasur mundësi që t’i ofrojë këto ndihma kësaj klinike. Ndryshe, Rotary Club Prishtina i ka dhuruar Klinikës së Pediatrisë për 170 shtretër sa janë gjithsej në këtë klinikë, 170 jorganë dhe jastëkë, si dhe nga dy komplete, përkatësisht 340 çarçafë dhe mbulesa për jastëkë dhe mbulesa për jorganë. Po ashtu, janë dhuruar edhe tri lavatriçe.