E Diel, 1 Nëntor 2026

Vdes 11-vjeçari i goditur nga vetura

Nga Express më 12 prill 2011 në ora 12:00

Fëmija 11-vjeçar, A. (Zenë) Smakiqi, nga fshati Abri e Poshtme e Skenderajt, nuk u ka mbijetuar lëndimeve të marra një javë më parë, kur ishte goditur nga një veturë pranë shtëpisë së tij.

Smakiqi pasi ishte goditur nga vetura, të hënën e kaluar, ishte sjellë me urgjencë në Qendrën Kryesore të Mjekësisë familjare në Skenderaj, ku pas dhënies së ndihmës së parë nga mjekët, ai ishte transferuar me urgjencë për në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Edhe pse mjekët fillimisht kishin deklaruar se ai ndodhet jashtë rrezikut për jetë, ai megjithatë ka ndërruar jetë të hënën, në orët e para të mëngjesit, njoftuan zyrtarët e QKUK-së. Lajmin e ka konfirmuar edhe Drejtoria Rajonale e Policisë së Kosovës në Mitrovicë, përmes zëdhënësit të vet, togerit Besim Hoti.

Hoti tha se të hënën në mëngjes ka marrë konfirmimin zyrtarë nga QKUK-ja për vdekjen e djaloshit 11-vjeçar. “Kemi marrë konfirmimin se i aksidentuari ka ndërruar jetë të hënën në mëngjes, ndërsa me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë i djaloshit iu është dorëzuar familjarëve”, ka thënë Hoti.

Aksidenti i një jave më parë, i klasifikuar si aksident me lëndime trupore, është riklasifikuar si aksident me fatalitet.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›