Kosova heq dorë nga Republika, Serbia nga 1244

Kosova dhe Serbia do të arrijnë edhe një marrëveshje në fillim të shkurtit. Ndërmjetësi i BE-së në dialogun teknik Robet Cooper ka përgatitur edhe mënyrën se si Kosova do të prezantohet në nisma rajonale pa u penguar nga Serbia.
E përditshmja “Koha Ditore” raporton se marrëveshja për të cilën palët do të takohen në fillim të shkurtit për t`u rënë dakort, do të shënojë një kompromis të dhimbshëm. Qeveria e Kosovës ka rënë dakort që në rajon të prezantohet pa Republikë.
Serbia, ndonëse me shumë kundërshtime, ka pranuar që në emrin me të cilin do të përfaqësohet Kosova të mos figurojë Rezoluta 1244 e KS të OKB-së.
Kryenegociatorja kosovare Edita Tahiri ka pranuar të mërkurën në një bisedë për gazetën se pala kosovare ka rënë dakort që Kosova të prezantohet në rajon pa fjalën Republikë dhe me një mbishkrim.