E Diel, 1 Nëntor 2026

“Serbët mbyllën ndoshta përgjithmonë epokën Vuçiç”- Elisa Spiropali: Popujt e kanë fuqinë ta ndryshojnë drejtimin e vendit përballë pushteteve që pretendojnë të jenë të përhershme

Ish-ministrja e Jashtme dhe deputetja e PS, Elisa Spiropali ka komentuar humbjen e Aleksandër Vuçiç në Serbi, duke dhënë mesazhin se “popujt e kanë mundësinë dhe fuqinë që të ndryshojnë drejtimin e vendit edhe përballë pushteteve që pretendojnë se janë të përhershme”.

vucic spiropali

Më anë të një postimi në Facebook, deputetja socialiste uron që kjo zgjedhje të hapë një kapitull të ri për demokracinë në Serbi dhe bashkëpunimin në rajon.

Sipas saj, ajo çka ndodhi në Serbi hap për Ballkanin një mundësi që duhet gjykuar hap pas hapi nga veprimet dhe reagimet që do të pasojnë

“Serbët shprehën masivisht me votë vullnetin e tyre për ndryshim, duke mbyllur kështu, ndoshta përgjithmonë, epokën e dominimit politik të Aleksandër Vuçiç.

Zgjedhjet në Serbi na kujtojnë atë që gjithmonë e kemi ditur: se popujt e kanë mundësinë dhe fuqinë ta ndryshojnë drejtimin e vendit të tyre, edhe përballë pushteteve që pretendojnë të jenë të përhershme.

Uroj që kjo zgjedhje të hapë një kapitull të ri për demokracinë në Serbi dhe bashkëpunimin në rajon.

Çka ndodhi në Serbi hap për Ballkanin një mundësi që duhet gjykuar hap pas hapi nga veprimet dhe reagimet që do të pasojnë. Siç theksoi kancelari Merz, ngecja në normalizimin e marrëdhënieve Kosovë–Serbi pengon përparimin e rajonit. Drejtuesit e rinj kanë rastin dhe mundësinë të dëshmojnë se ndryshimi përfshin edhe eleminimin e mendësisë shoviniste, gatishmërinë për dialog, zbatim të marrëveshjeve, dhe respekt për sovranitetin e Kosovës”, shkruan Spiropali.

Spiropali ka përcjellë një urim të veçantë edhe për përfaqësuesit shqiptarë të Luginës së Preshevës, duke shprehur pritshmërinë që përfaqësimi i tyre parlamentar të sjellë më shumë barazi, të drejta dhe mundësi për shqiptarët në Serbi.

“Një urim i veçantë për përfaqësuesit shqiptarë të Luginës së Preshevës, me pritshmërinë që zëri i tyre parlamentar të përkthehet në sa më tepër barazi, të drejta dhe mundësi për shqiptarët në Serbi. Shqipëria është e interesuar për një Serbi demokratike dhe europiane. Prova e këtij orientimi do të jetë mënyra si pushteti i ri u përgjigjet qytetarëve të vet dhe ndërton marrëdhëniet me fqinjët. Me mbështetjen e BE-së dhe SHBA-së, kjo mundësi duhet kthyer në hapa konkretë drejt paqes së qëndrueshme që u detyrohemi qytetarëve dhe brezit të ri të Ballkanit”, shkruan Spiropali.

spiropali

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›