Serbët në veri kundërshtojnë aksionet e KFOR-it dhe EULEX-it
I ashtuquajturi Këshill Drejtues për Qarkun e Mitrovicës, ka kundërshtuar aksionet e KFOR-it dhe EULEX-it, duke vlerësuar ato si të njëanshme dhe që kanë për qëllim frikësimin e popullatës serbe në veri.
“Kërkojmë që të respektohet vullneti i qytetarëve i shprehur në referendum për mos pranimin e institucioneve të Kosovës. Po ashtu kërkojmë që të ndalen presionet psikologjike ndaj serbëve dhe arrestimet politike ndaj tyre”, thuhet në një deklaratë për shtyp.
Sipas komunikatës, përfaqësuesit e qeverisjes lokale janë të përcaktuar që të gjitha problemet t`i zgjidhin në mënyrë paqësore, ndërkohë që dëshirojnë raporte të mira partneriteti me KFOR-in.
Përfaqësuesit e serbëve të veriut po ashtu janë të shqetësuar tej mase dhe konsiderojnë si të papranueshme klasifikimin e personave pjesëmarrës serbë nëpër takime nga ana e KFOR-it.
”Kundërshtojmë ashpër tendencën e mbylljes së Zyrës së UNMIK-ut në veri të Mitrovicës dhe dorëzimin e dokumentacionit përfaqësuesve të Qeverisë së Kosovës”, thuhet në fund të deklaratës.