E Diel, 1 Nëntor 2026

Serbët që zgjidhen në Kosovë, e humbin punën nga Beogradi

Qeveria e Serbisë kërcënon serbët e Kosovës, të cilët konkurrojnë në zgjedhjet komunale të 15 nëntorit në Kosovë, se do tu duhet të zgjedhin ndërmjet vendit aktual të punës që paguhet nga Beogradi dhe asaj që u ofron Qeveria e Kosovës..

Sekretari shtetëror në Ministrinë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Oliver Ivanoviq, i ka thënë agjencisë serbe të lajmeve Tanjug se serbët duhet të mendohen mirë para se të marrin vendim për të dalë në zgjedhje, ndërsa ka tërhequr vërejtjen se pjesëmarrja në zgjedhje, tani pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, nuk është njësojë si më përpara.

Nuk është mundur që njeriu njëkohësisht në dy vende të punës ta ushtrojë punën dhe ti marrë dy rroga. Nuk është e mundur që njeriu të jetë kryetar i Komunës së Prishtinës, me seli në Graçanicë, për shembull, dhe të jetë kryetar i Komunës së Graçanicës, e cila do të formohet pas zgjedhjeve të Kosovës, thënë Ivanoviq, i cili më herët, vetë ka qenë zyrtar i lartë në institucionet e Kosovës.

Druhem se nuk po kuptojnë se me pjesëmarrje në zgjedhje bien në kurth, sepse me vrapimin individual ndoshta e sjellin në rrezik pozicionin e të gjithë serbëve ndaj Qeverisë së Serbisë. Të gjithë serbët e Kosovës sillen në pozicion të vështirë, për shkak të individëve, të cilët mendojnë se me daljen në zgjedhjet e Kosovës, e zgjidhin ndonjë problem të vetin personal, apo problemin e një grupi të vogël, ka shtuar Ivanoviq.

Por sipas tij, e tërë popullata serbe në Kosovë rrezikohet nga këto sjellje, sepse ekzistenca ekonomike e serbëve në 99 për qind të rasteve direkt, apo tërthorazi, mbështetet në varësinë nga buxheti i Serbisë.

Këta njerëz që janë të gatshëm për zgjedhjet kosovare janë rreth një për qind, të cilët mendojnë se do të mund ta shfrytëzojnë edhe njërin dhe buxhetin tjetër. Kjo, pas shpalljes së pavarësisë nuk është mundshme. Njerëzit duhet të përcaktohen midis këtyre dyjave, kurse në afat të gjatë serbët nuk do të mund ti zgjidhin problemet e veta, nëse prapa vetes nuk e kanë Republikën e Serbisë.

Por Ivanoviq ka theksuar se qëndrimi i Qeverisë së Serbisë është se kandidatët që dalin në zgjedhjet e Kosovës nuk do të sanksionohen, por përfaqësuesit e zgjedhur duhet të përcaktohen a duan të paguhen nga buxheti i Kosovës, apo ai i Serbisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›