Topi uron Kryepeshkop Janullatosin me rastin e 80-vjetorit
Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi i ka dërguar një mesazh Kryepeshkopin e Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Fortlumturinë e Tij, Anastas Janullatos, në të cilin shpreh urimet më të mira me rastin e 80-vjetorit të lindjes së kreut të Kishës Autoqefale Ortodokse të Shqipërisë. "Është një kënaqësi e veçantë që në këtë 80- vjetor të ditës së lindjes tuaj të përfitoj nga rasti për t'ju uruar jetë të gjatë, shëndet të mbarë, forcë dhe energji në kryerjen e misionit tuaj të shenjtë në drejtim të Kishës Autoqefale Ortodokse në Shqipëri", thuhet në mesazhin e presidentit. Më tej Presidenti shkruan "Në këtë ditë të veçantë për Ju, të shpreh dhe një herë vlerësimin tim të lartë për kontributin dhe veprimtarinë tuaj në drejtim të Kishës Autoqefale Ortodokse të Shqipërisë, në ringjalljen e besimit fetar dhe shpresës njerëzore për një jetë e të ardhme sa më të begatë si dhe në konsolidimin e mëtejshëm të harmonisë dhe bashkëjetesës ndërfetare në Shqipëri".