E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sejdiu takon nënsekretarin britanik të Shtetit

Presidenti Fatmir Sejdiu ka takuar sot në Londër nënsekretarin britanik të Shtetit, Chris Bryant, të cilin e falënderoi për përkrahjen e vazhdueshme të Britanisë së Madhe për Kosovën.

Sipas një komunikate për shtyp të Presidencës, në këtë takim, në të cilin mori pjesë edhe ambasadori i Kosovës në Londër, Muhamet Hamiti, u bisedua gjerësisht për bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve. Presidenti Sejdiu, me këtë rast, theksoi se Republika e Kosovës ka kapërcyer me sukses sfidat e shumta me të cilat është ballafaquar gjatë viteve të fundit, ndonëse ende mbesin shumë punë për tu bërë, ashtu si është konstatuar edhe në Raportin e Progresit të Komisionit Evropian.

Presidenti Sejdiu vlerësoi edhe të arriturat në fushë të sigurisë dhe punën e mirë të EULEX-it, duke theksuar po kështu se prioritet i institucioneve të Kosovës mbetet sundimi i rendit dhe ligjit në tërë territorin e Kosovës.

Republika e Kosovës deri më sot është njohur nga 62 vende të botës dhe në po bëjmë çështë e mundur që ky proces të ecën përpara, tha presidenti Sejdiu, i cili kërkoi nga ministri Bryant që Britania e Madhe të vazhdojë ta ndihmojë Kosovën në këtë proces, veçmas në vendet e Komonueelthit dhe në vendet e tjera në të cilat ky vend ka ndikim më të madh.

Kurse ministri Bryant ka theksuar se Britania e Madhe ka qenë dhe mbetet shumë e përkushtuar për ta ndihmuar Kosovën në të gjithë fushat e jetës. Ai e siguroi Presidentit Sejdiu se vendi i tij do të ofrojë gjithë ndihmën e nevojshëm për forcimin e institucioneve demokratike kosovare, për qeverisjen e mirë, me theks të veçantë në luftimin e fenomeneve negative që kanë prekur vendet e rajonit, siç janë korrupsioni, krimi i organizuar etj.

Në këtë takim, po ashtu, u diskutua edhe për procesin zgjedhor që po kalon Kosova. Si Presidenti Sejdiu, ashtu edhe Ministri Bryant, theksuan rëndësinë që kanë për imazhin e Republikës së Kosovës këto zgjedhje, duke u bërë thirrje të gjithë qytetarëve dhe komuniteteve që jetojnë në Kosovë që të jenë pjesë aktive dhe konstruktive e këtij procesi, në mënyrë që 15 nëntori të jetë një ditë solemne për të gjithë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›