Serbët vazhdojnë të bllokojnë magjistralen
Rreth 40 protestues serbë vazhdojnë të mbajnë të bllokuar magjistralen Mitrovicë-Ribariq, por vetëm për qarkullimin e automjeteve të EULEX-it. Ata kanë ndërruar vendqëndrimin e tyre, dhe tani nga Zubin Potoku kanë kaluar në vendin e quajtur Zupqe.
Zëdhënësi rajonal i Policisë së Kosovës në Mitrovicë, Besim Hoti, ka konfirmuar për Kosovapress se rruga vazhdon të mbetet e bllokuar, por vetëm për automjetet e EULEX-it.
“Protestuesit kanë arritur një marrëveshje mes vete, sipas të cilës lirohet rruga për qarkullimin e të gjitha automjeteve, përveç atyre të EULEX-it”, ka thënë Hoti.
Ai nuk ka precizuar nëse protestuesit kanë lejuar forcat e KFOR-it që gjatë ditës të zhvillojnë ushtrimet e tyre në këtë rajon.
Serbët po protestojnë për shkak të arrestimit që ka ndodhur para disa ditëve të Jevrem Panteliqit nga Zubin Potoku, i cili dyshohet për krim të organizuar. /kosovapress/