Serbi, e shkuara mban peng të ardhmen
Nëse Serbia do të kishte qenë vërtet një demokraci liberale funksionuese, ministri i Jashtëm, Vuk Jermiç, do të kishte dhënë dorëheqjen të nesërmen e publikimit të opinionit të GJND-së. Opinioni GJND-së se deklarata e pavarësisë së Kosovës nuk shkel as të drejtën ndërkombëtare, as Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit dhe as kuadrin kushtetues të vetëqeverisjes së kushtëzuar, ishte jo vetëm një dështim spektakolar, por edhe një aksion politik që u shndërrua në një bumerang për administratën serbe dhe në mënyrë të veçantë për kreun e diplomacisë serbe. Ndonëse investimi i Serbisë për të kundërshtuar pavarësinë e Kosovës mbi baza ligjore, përmes GJND-së, kishte mbështetjen e të gjithë qeverisë dhe të Presidentit serb, në fakt, Jeremiçi ishte ai që u identifikua me këtë aksion. Kreu i diplomacisë serbe është një nga kontribuuesit kryesorë, në mos kryesori, për shpresat e mëdha që ushqente politika serbe (dhe jo vetëm politika) te përfundimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Dhe kjo për arsyen se Kosova nuk është vetëm mundësia për të pretenduar suksesin në diplomaci, por edhe kali i betejës dhe i ambicieve për karrierën politike të zotit Jeremiç, kuotat e të cilit në bursën politike vijonin të qëndronin lart thjesht dhe vetëm për shkak të qasjes së tij populiste ndaj Kosovës. Pas një dështimi kaq spektakolar, në çdo vend demokratik, njeriu i parë përgjegjës do të kishte dhënë dorëheqjen dhe nëse kjo gjë nuk do të kishte ndodhur në një vend me demokraci funksionuese, atëherë do të kishin qenë vetë punëdhënësit ata që do ta kishin pushuar nga puna ministrin e Jashtëm.
Mirëpo të thuash se Serbia nuk është një vend demokratik, sepse ministri i Jashtëm as nuk dha dorëheqjen, as nuk u pushua nga puna, ky është një lexim shumë i thjeshtëzuar i kuptimit dhe i shpjegimit të politikës së sotme në Serbi. Madje, edhe të thuash se Serbia e sotme nuk është një demokraci liberale funksionuese, kjo ndoshta nuk është as më shumë e as më pak se sa të thuash, siç shkruante shkrimtarit rus Anton Çehov, se kuajt hanë bar dhe sanë apo Vollga derdhet në Detin Kaspik, pra shkurt, gjëra që të gjithë i dinë prej kohësh.
Ky artikull synon të argumentojë se zëvendësimi i qasjes populiste me një qasje realiste ndaj Kosovës, e cila do të çonte në njohjen e pavarësisë së Kosovës, përbën një hap thelbësor, në mos çelësin për demokratizimin e Serbisë, gjë që do të kishte edhe një ndikim të thellë në të gjithë rajonin.
Aktualisht, elita politike në pushtet në Serbi, ashtu si në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, u druhet hapave thelbësorë, që do të çonin në demokratizimin e regjimeve hibride, edhe autoritariste, edhe demokratike. Dhe u druhen për një arsye te thjeshtë, të vjetër sa politika. Dhe kjo arsye është ruajtja e pushtetit. A do të thotë kjo se ndërmarrja e një hapi të rëndësishëm - njohja e pavarësisë së Kosovës, që përbën çelësin e demokratizimit real të Serbisë, do të çonte në rrëzimin e qeverisë aktuale në Serbi? Zhvillimet e tre vjetëve të fundit, që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, pohojnë të kundërtën. Qasja populiste ndaj Kosovës i jep siguri të plotë elitës në pushtet, madje i mban lart kuotat e mbështetjes në publik dhe në të njëjtën kohë mban të njëjtin nivel legjitimiteti dhe mbështetjeje edhe nga komuniteti ndërkombëtar e kryesisht nga BE-ja.
Në maj të vitit 2007, ministri i Jashtëm serb tha se qeveria në Serbi do të rrëzohej nëse Kosovës i jepej pavarësia. Në fakt, pavarësia kishte ndodhur. Të paktën që nga qershori i vitit 1999, Kosova nuk ishte më nën kontrollin e Serbisë dhe nga pikëpamja e të drejtës ndërkombëtare, Kosova ishte pothuajse një shtet de facto: me një territor dhe kufij të përcaktuar, me një popullsi të përcaktuar, me një qeveri qendrore dhe vendore, e cila vijonte ende ta ndante qeverisjen me OKB-në. Ajo që mungonte për të qenë një shtet, sipas të drejtës ndërkombëtare, ishte thjesht njohja ndërkombëtare. Por deklarata e Jeremiçit se dhënia e pavarësisë Kosovës do të rrëzonte qeverinë në Serbi, ishte thjesht sa për të trembur Perëndimin me rrezikun e fuqizimit dhe ardhjes në pushtet të radikalëve në Serbi. Një vit më vonë, në vitin 2008, pavarësia u shpall edhe de jure. Ajo që nuk ndodhi, ishte paralajmërimi i zotit Jeremiç për rrëzimin e qeverisë serbe. Shpjegimi është i thjeshtë dhe i menjëhershëm: gjërat që thotë apo premton zoti Jeremiç, nuk ndodhin, ashtu siç ndodhi edhe në rastin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Madje, nuk ndodhi as skenari më i keq, i parashikuar nga diplomacia serbe, skenari i një opinioni të paqartë nga GJND-ja. Por ruajtja e status-quo-së ndaj pavarësisë së Kosovës u shërben të gjitha palëve politike, si të moderuarave në pushtet, ashtu edhe të ashtuquajturve radikalë në opozitë, por ama nuk i shërben të ardhmes së Serbisë.
Nëse administrata serbe nuk u rrëzua pas pavarësisë së Kosovës më 2008 dhe nëse pas dështimit spektakolar në rastin e GJND-së kuotat e qeverisë nuk u zbehën, atëherë është vërtet e çuditshme përse opozita radikale nuk arrin të kuptojë ende se Kosova nuk është një çështje që mund ta sjellë atë në pushtet.
Sipas studimeve lokale të pavarura, Kosova është e teta në listën e përparësive të shoqërisë serbe. Dështimi i opozitës për të përfshirë në programin e vet politik prioritetet reale të shoqërisë serbe dhe këmbëngulja e qeverisë për të mbajtur të ngërthyer debatin politik rreth çështjes së Kosovës (duke shmangur kështu debatin për shtatë prioritetet e tjera) mban të ngritur një kurth politik, ku nuk kanë vlerë as dështimet, as sukseset, mban të ngritur një kurth, nga i cili askush nuk përpiqet të dalë.
Shpjegimi më politik dhe njëherazi filozofik i status-quo-së politike dhe i demokracive të dobëta e jofunksionuese, si në Serbi, lidhet me vëzhgimin e Domimique Moisi, sipas të cilit, vetëm popujt e Ballkanit nuk janë ndarë me të shkuarën e tyre dhe nuk i kanë kërkuar falje njëri-tjetrit. Historia është e thjeshtë: Popujt evropianë nuk krijuan Bashkimin Evropian si një instrument që do të sillte si me magji pajtimin, për shembull, midis francezëve dhe gjermanëve - që do të zëvendësonte armiqësinë me bashkëpunimin dhe paqen në vend të konfliktit. Së pari, vendet evropiane vendosën të ndaheshin nga e kaluara armiqësore konfliktuale dhe ti kërkonin falje njëri-tjetrit.
Anëtarësimi eventual i Serbisë, i Shqipërisë dhe i vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor nuk është një deus ex machina, që mund ti shndërrojë regjimet hibride në këto vende në demokraci liberale funksionuese. E vërteta është e kundërta: Demokratizimi i regjimeve hibride në Ballkan i përgatit këto vende për anëtarësim në BE. Perëndimi dhe veçanërisht Bashkimi Evropian mund të dërgonte sinjale të gabuara në elitat politike në Ballkan nëse i përmbahet qasjes së parë. Për shembull, në rastin e Serbisë, kërkimi i një politike tjetër ndaj Kosovës në këmbim të anëtarësimit të Serbisë në BE, është një qasje nga lart-poshtë dhe madje nuk duket të ketë efekt. Presidenti serb Tadiç thotë se Bashkimi Evropian është prioriteti ynë strategjik, por jo i vetmi. Më i qartë dhe më luftarak si gjithmonë është ministri i Jashtëm, i cili disa herë ka deklaruar se Serbia nuk është e gatshme të njohë pavarësinë e Kosovës në këmbim të anëtarësimit në BE. Dhe krahas orientimeve të tjera prioritare në politikën e jashtme, diplomacia serbe po përpiqet të ringjallë një fantazmë të Luftës së Ftohtë, siç ishte lëvizja e të paangazhuarve (pas një viti në Beograd do të festohet 50-vjetori i kësaj lëvizjeje dhe përgatitjet kanë filluar qysh tani), vetëm e vetëm për të ndaluar procesin e njohjeve të mëtejshme të Kosovës si shtet i pavarur, ndonëse në këtë synim dështimet e Serbisë kanë ndjekur njëri-tjetrin dhe më i fundit ishte nga vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Ashtu siç vëren analisti i njohur i The Economist, Tim Judah, diplomacia superaktive serbe ka dhënë rezultate të mira brenda vendit. Presidenti Tadiç dhe qeveria