E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: Vdekjet nga aksidentet, si vrasjet në Afganistan

Deputeti socialist Artan Gaçi akuzoi ministrin e Brendshëm, Lulëzim Basha, se gënjeu publikisht duke deklaruar se siguria në rrugë është përmirësuar dhe se ka rënë numri i vdekjeve nga aksidentet.

“Në një kohë kur viktimat e aksidenteve rrugore në Shqipëri kanë kapur nivele të përafërta me vrasjet në Afganistan, Lulzim Basha del e bën lojëra fjalësh duke u përpjekur të mbulojë paaftësinë e tij në menaxhimin e sigurisë së rrugëve”, deklaroi deputeti Gaçi.

Ministri Basha deklaroi paradite nga qyteti i Durrësit se numri i aksidenteve me pasojë vdekjen ka shënuar ulje, ndërkohë që Partia Socialiste pohon të kundërtën.

“Në muajin korrik 2010, sipas të dhënave të vetë Policisë së Shtetit, pati 51 aksidente, prej të cilave humbën jetën 51 qytetarë, krahasuar me 148 aksidente e 48 jetë të humbura në korrikun 2009 kur Ministrinë e Brendshme nuk e drejtonte Lulzim Basha”, deklaroi deputeti i opozitës, duke shtuar se vetëm dje humbi jetën një qytetar dhe u plagosën 13 të tjerë.

“Lulzim Basha mban përgjegjësi të drejtpërdrejtë për kasaphanën që ka ndodhur e vazhdon të ndodhë në rrugët e Shqipërisë gjatë këtij sezoni turistik. Prandaj sot i bëjmë thirrje ministrit Basha që në vend që të humbasë kohën në fushata propagande e mashtrimi që pakkush ia beson, të angazhohet seriozisht për të adresuar këtë situatë që po u kushton jetën e shëndetin dhjetëra qytetarëve shqiptarë e po nxin imazhin e vendit”, theksoi në fund të deklaratës deputeti Artan Gaçi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›