E Diel, 1 Nëntor 2026

Serbi, vendimi për zgjedhjet, para 11 marsit

BEOGRAD-Ministri për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Goran Bogdanovic, wshtw shprehur se “ekzekutivi serb nuk ka sjellë ende vendim për mbajtjen e zgjedhjeve lokale në territorin e Kosovës, përderisa ato parlamentare dhe presidenciale do të mbahen me siguri”.

“Qeveria do ta sjellë vendimin për zgjedhjet lokale para 11 marsit, kur është afati i fundit për shpalljen e zgjedhjeve”, ka thënë Bogdanovic për mediat serbe.

“Zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale do të mbahen 100%. Këtu nuk ka dilemë. Kjo është në përputhje me Rezolutën 1244”, ka shtuar ai.

Bogdanovic ka thënë se Serbia do ta ketë parasysh qëndrimin e partnerëve të Bashkimit Evropian, porse “kjo nuk do të ndikojë në vendimin për zgjedhjet lokale në Kosovë”.

Deri më tani, zgjedhjet e Serbisë janë mbajtur disa herë edhe në Republikën e Kosovës, por rezultati i tyre nuk është njohur si legjitim as nga autoritetet kosovare, as nga ato ndërkombëtare.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›