Serbia: Jo simboleve kosovare në ndeshjet miqësore të tyre
Presidenti i Federatës së Futbollit të Serbisë paralajmëron ankesë ndaj organizatorëve të Valais Youth Cup nëse himni, flamuri dhe simbolet e Kosovës kanë qenë prezente në ndeshjet e përfaqësueses kosovare në dy ndeshjet që ka luajtur përfaqësuesja U-20. Serbët kanë informuar gabimisht sa u përket rezultateve të Kosovës në turneun ku bënin pjesë edhe Brazili, Gana e Egjipti. “FIFA, para 10 muajve, në kongresin në Japoni, ka vendosur që të gjitha përfaqësueset e reja të Kosovës, jashtë territorit të kësaj krahine, mund të luajnë ndeshje jo zyrtare kundër shteteve që i kanë njohur. Ndeshje jozyrtare nënkupton të mos këndohet himni dhe të mos vendosen simbolet shtetërore. Vendimi ka të bëjë edhe për klubet e femrave”, - tha presidenti i FSF-së, Tomislav Karaxhiç, i cili e pranoi se gjatë vizitës së kreut të FIFA-s, Sep Blater, në Serbi është folur për përfshirjen e Kosovës në garat e FIFA-s dhe UFEA-s. “Kemi folur për këtë mundësi, por sikur e kemi thënë më herët, për këtë do të sqarohemi në marrëveshje me organet tona shtetërore”, - shtoi Karaxhiç. Kosova U-20 ka qenë e angazhuar në një turne miqësor në Zvicër, ku fillimisht u mund nga Gana vetëm me anë të penalltive, ndërsa në ndeshjen e dytë është turpëruar nga Egjipti me rezultatin 8-0.
(a.k/E.Ilnica/BalkanWeb)
(a.k/E.Ilnica/BalkanWeb)