E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqiptarët e Maqedonisë: Formojmë federatën tonë

Situata në Maqedoni është acaruar më shumë se kurrë sa i përket futbollit, aq sa drejtues dhe klube shqiptare janë të gatshëm të formojnë një ligë të tyren, të gjithën shqiptare, duke mos duruar më veton e federatës maqedonase, që sipas shqiptarëve, vetëm sa i ka “masakruar” ata në futboll. Por çka ndodhur realisht? Vetëm disa orë pas përfundimit të ndeshjes së “play-off”-it, që u luajt në Shtip, mes KF Shkupi dhe Tiveria, kryesia dhe trajnerët e KF Shkupit nuk kanë pritur shumë, por kanë organizuar një takim me gazetarët, ku edhe shprehën përshtypjet e tyre për gjykimin skandaloz të gjyqtarit Markovski dhe skenarit anti-shqiptar të FFM-së (Federata e Futbollit të Maqedonisë).
NGJARJA
Ekipi shqiptar nga Shkupi, të shtunën, në ndeshjen shtesë, ka pësuar disfatë nga Tiveria pas një penalltie të dyshimtë. Drejtori sportiv Nexhat Shabani dhe trajnerët Visar Ganiu e Meriton Berisha u shprehën të tmerruar nga e gjithë kjo. “Ndeshja nisi mirë, por gjatë saj gjyqtari Markovski nuk ishte në nivel të detyrës. Situata kulmoi kur ai dha penallti për Tiverian, kur të gjithë ishin të mendimit se nuk kishte element për penallti të tillë. Mendojmë se ai kishte tendencë ose kishte ndonjë urdhër”, - deklaroi drejtori sportiv i KF “Shkupi”, Nexhat Shabani, që vijon: “Tani s’e dimë nëse ia vlen të luash futboll në këtë shtet tonin. Ne dhe më herët kemi qenë të dëmtuar, por ky është kulmi. Unë kam qenë edhe trajner te Shkëndija, kam punuar në klube shqiptare, sepse vetëm aty mund të punojmë ne, s’mund të punojmë në anën tjetër, edhe pse si lojtar kam luajtur edhe andej, edhe këndej. Dhe gjithmonë kam pasur probleme në rezultatet e mia për shkak të gjykimit. Nëse vazhdohet kështu s’ka kuptim të garohet”.
DEKLARATA
Ndërsa trajneri Visar Ganiu iu drejtua kryetarit të FFM-së, Ilço Gjorgjiovski, se ai është fajtori kryesor për padrejtësitë që po u bëhen skuadrave shqiptare: “Askund në botë një ekip që zë vendin e parë nuk mund të shkojë në ‘play-off’. Kjo është jashtë rregullave të UEFA-s e FIFA-s. FFM ia arriti qëllimit, vendosi për të mos pasur ekipe shqiptare në Ligën e Dytë. Do të njoftojmë UEFA-n dhe FIFA-n, por dhe në bllokun shqiptar do të ketë mbledhje. Nëse ka nevojë, do t’i heqim të gjithë lojtarët dhe të gjithë ekipet shqiptare dhe do të formojmë ligë tonën paralele. Askush s’mund të na ndalojë të formojmë ligë paralele, ku do t’i tregojmë FFM-së se si organizohet loja në mënyrë të drejtë. Ajo çfarë ndodhi me Dritën, neve dhe me ekipet tjera më herët, gjykimi kurrë s’ka qenë më i dobët, por kjo bëhet me qëllim, këtu është e keqja. Këto urdhra merren nga lart dhe jo nga gjyqtarët. Kjo rrugë që është nisur, mendoj se nuk do të jetë e gjatë që ekipet shqiptare të jenë pjesë e kësaj federate. Për ne do të jetë e domosdoshme të marrim një vendim tjetër”. 
(a.k/E.Ilnica/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›