Reagimet
Rusia
Ambasadori rus në Kombet e Bashkuara, Vitali Çurkin, tha se Rusia dëshironte që misioni i OKB-së në Kosovë të hidhte poshtë Deklaratën e Pavarësisë. Çurkin, që foli para një takimi urgjent të Këshillit të Sigurimit, të thirrur nga Rusia, tha se shpallja e pavarësisë së Kosovës ishte në kundërshtim me rezolutën e kaluar nga Kombet e Bashkuara.
Kina
“Kina shpreh shqetësimin e saj të thellë për Deklaratën e Pavarësisë së njëanshmet Kosovës”, - u shpreh zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës. “Akti i njëanshëm i Kosovës mund të prodhojë një sërë pasojash, të cilat do të shkaktojnë ndikime serioze negative ndaj paqes dhe stabilitetit në rajonin e Ballkanit dhe në shoqërinë multietnike në Kosovë”, - thuhet në deklaratën zyrtare të Ministrisë së Jashtme Kineze.
Spanja
Ministri i Jashtëm spanjoll, Miguel Angel Moratinos, tha se Spanja nuk do ta njihte deklaratën e Pavarësisë së Kosovës nga Serbia, pasi një gjë e tillë binte ndesh me ligjet ndërkombëtare. Moratinos tha në Bruksel se vendi i tij do të propozojë në takimin e ministrave të Jashtëm të BE-së, një deklaratë, në të cilën do të ruhet qëndrimi i Spanjës, duke garantuar në të njëjtën kohë, sa më shumë që të jetë e mundur, unitetin e BE-së”.
Sllovakia
Sllovakia, një vend anëtar i BE-së, tha se nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës për momentin, bëri të ditur Ministria e Jashtme Sllovake. Presidenti sllovak, Vaslav Klaus, tha se Deklarata e Pavarësisë së Kosovës mund të ketë pasoja të paprecedentë për Europën, pasi mund të shkaktojë një situatë, ku pjesë të tjera të vendeve europiane të kërkojnë shkëputjen.
Rumania
Presidenti i Rumanisë, Trajan Basesku, tha se shpallja e njëanshme e pavarësisë së Kosovës është e paligjshme. Ai deklaroi se qëndrimi kundërshtues i Rumanisë për të mos njohur pavarësinë e Kosovës mbetet i pandryshueshëm. “Rumania nuk do ta njohë pavarësinë e njëanshme të Kosovës”, - tha Basesku.
Republika Çeke
Republika Çeke nuk ka në plan që të jetë ndër vendet e para që do të njohë pavarësinë e Kosovës. Një gjë e tillë është bërë e ditur nga kreu i Komisionit të Jashtëm Parlamentar në Parlamentin Çek, Aleksandër Vondra, i cili deklaroi: “Kjo nuk është çështja e ditës”.
Sri Lanka
Ministri i Jashtëm i Sri Lankës deklaroi se nuk do të mbështesnin pavarësinë e Kosovës, sepse një gjë e tillë përbënte një kërcënim për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare.
Izraeli
Izraeli po e ndjek me shqetësim dhe rezerva të ashtuquajturën “pavarësi e njëanshme”, pasi ajo mund të ketë ndikim në çështjen palestineze. Ministri i Jashtëm izraelit tha se po ndiqet në mënyrë të vazhdueshme situata dhe do të shprehë qëndrimin e Izraelit në të ardhmen.
Azerbajxhani
Azerbajxhani nuk do ta njohë deklaratën e pavarësisë së Kosovës. “Ne e shikojmë si një akt të paligjshëm, që bie në kundërshtim me ligjet ndërkombëtare. Nisur nga një gjë e tillë, pozicioni i Azerbajxhanit është i qartë: ai nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës”, - tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme.
Indonezia
Indonezia do të jetë në pozita abstenuese për njohjen ose jo të pavarësisë së njëanshme të Kosovës. Presidenti indonezian, Susilo Bambang Yudhoyono, tha se po ndiqte me vëmendje zhvillimet në Kosovë dhe se po monitoronte reagimet dhe qëndrimet e vendeve të ndryshme, përpara se të shpreh qëndrimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Por frika për lëvizje të brendshme separatiste në Indonezi, përfshirë ishujt Papua dhe Aceh, si rezultat i njohjes së pavarësisë së Kosovës, frenon forcat nacionaliste në Indonezi. “Duhet të jemi shumë të kujdesshëm”, - tha deputeti indonezian, Danubruto.
Zelanda e Re
Zelanda e Re as do ta njoh dhe as do ta kundërshtojë pavarësinë e Kosovës. Një gjë e tillë u deklarua dje nga kryeministri i Zelandës së Re, Helen Clarck. “Qeveria e Zelandës së Re as do ta njohë, por as do ta kundërshtojë pavarësinë e Kosovës. Ne nuk kemi ndër mend që të deklarohemi për këtë çështje”, - tha Clarck.
Vietnami
Vietnami është deklaruar kundër pavarësisë së njëanshme të Kosovës nga Serbia. Ambasadori i Vietnamit në OKB deklaroi: “Pavarësia e njëanshme e Kosovës është në kundërshtim me implementimin e Rezolutës 1244 të OKB-së dhe do të ndërlikojë situatën në Kosovë dhe rajonin e Ballkanit”, - tha Minh.
Singapori
Ministria e Jashtme e Singaporit deklaroi se ky vend është duke studiuar ende shpalljen e njëanshme të pavarësisë së Kosovës. Zëdhënësi i kësaj ministrie tha në një deklaratë për shtyp se pavarësia e Kosovës është një lëvizje kundërshtuese, e cila do të ketë reagime komplekse në të gjithë botën.
Kazakistani
Ministria e Jashtme e Kazakistanit deklaroi qëndrimin kundërshtues ndaj shpalljes së njëanshme të pavarësisë së Kosovës. “Kazakistani insiston që çështja e Kosovës duhet të zgjidhet në mënyrë paqësore sipas parimeve të OKB-së, sovranitetit kombëtar dhe integritetit territorial”, - thuhej në deklaratën e Ministrisë së Jashtme.
Afrika e Jugut
Ministri i Jashtëm i Afrikës së Jugut, Nkoszana Dlamini-Zuma, tha se qeveria e këtij vendi ende nuk ka vendosur të njohë pavarësinë e njëanshme të Kosovës.
Uganda
“Qeveria e Ugandës po studion me kujdes deklaratën e pavarësisë së Kosovës përpara se të vendosë për ta njohur ose jo si shtet Kosovën”, - u shprehën zyrtarët e lartë të këtij vendi afrikan.
Gjeorgjia
“Gjeorgjia nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës dhe kjo çështje nuk është në axhendën e këtij vendi”, - u shpreh zëdhënësi i Parlamentit Gjeorgjian. Ai tha se Gjeorgjia është më shumë e shqetësuar për çështjen e Osetisë dhe Abkhazisë.
Moldavia
Qeveria e Moldavisë e ka quajtur deklaratën e pavarësisë së Kosovës shqetësuese dhe një precedent të rrezikshëm. “Pavarësia e njëanshme e Kosovës është jo vetëm dhunim i integritetit territorial të Serbisë, por një faktor serioz i destabilizimit të Europës, si dhe një stimul i rrezikshëm për lëvizjet separatiste në zonat e tjera të konfliktit”, - thuhet në deklaratë.
19 Shkurt 2008