E Shtunë, 31 Tetor 2026

Serbia dhe Kosova përballen në Këshillin e Sigurimit

Lërini të qetë serbët e Kosovës që ata të punojnë me ne për të mirën e tyre. Kjo ishte thirrja që Ministri i Jashtëm i Kosovës, Skëndër Hyseni, i ka drejtuar Presidentit të Serbisë, Boris Tadiç, gjatë seancës së jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, duke shtuar se për çështjet praktike Beogradi duhet të flasë me autoritetet e Prishtinës.

"Flisni me ne si autoritete të Republikë së Kosovës, për ato cështje aq të shumta praktike, që në një anë do të ndihmojnë raportet midis dy vendeve tona, por dhe do të kenë një ndikim vendimtar në mirëqënien e komunitetit serb”, tha Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Skënder Hyseni.

"Dua të ritheksoj thirrjen e Sekretarit të Përgjithshëm për të gjitha palët që të përkushtohen në dialog, si proces i domosdoshëm për të trajtuar sfidat qe paraqiten para nesh në Kosovën Veriore”, u shpreh Kreu i UNMIK-ut, Lamberto Zannier.

"Nuk ka pasur ndonjë kërcënim të përkeqsimit të situatës në veri dhe në asnjë vend tjetër në Kosovë, dhe gjatë gjithë kohës misioni i EULEX-it ka vepruar në përputhje të plotë me mandatin që ka”, tha Kreu i EULEX-it, Yves De Kermabon.

Ndërsa Tadiç ka theksuar se incidenti i së premtes në Mitrovicë është rrjedhojë e shpalljes së njëanëshme të pavarësisë së Kosovës, ndërkohë delegacioni serb është larguar nga salla përpara se Ministri Hyseni të përfundonte fjalën e tij.

"Ne jemi te vendosur qe të gjejmë nje zgjidhje të qëndrueshme për statusin e Kosovës. Ne nuk kemi të drejtë të dështojmë në këtë detyrë dhe nuk kemi qëllim të përcmojmë dikë tjetër”, tha Boris Tadiç, Presidenti i Serbisë.

Seanca e jashtëzakonshme e Këshillit të Sigurimit për gjendjen e sigurisë në Kosovës është zhvilluar me kërkesë të Serbisë, pas incidentit të së premtes në veri të Mitrovicës, ku u vra një person dhe u plagosën mbi 10 të tjerë, si dhe plagosjes së deputetit serb të Parlamentit të Kosovës, Petar Miletiç.

Dhimitër Adhami Azhornuar së fundi ( e martë , 06 korrik 2010 ) < I mëparshmi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›