Isufi: Nuk po na shpërblehet konstruktiviteti

“Me marrëveshjen e fundit me Serbinë, Kosova ka lëshuar pe, duke e dëmtuar në një masë edhe interesin e saj, por kjo nuk i është shpërblyer, sepse pala tjetër, nuk është sanksionuar, pavarësisht moszbatimit të obligimeve të marra”, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi. Nga kapaciteti i kryetarit të Komisionit për Siguri, Isufi flet dhe në lidhje me amnistinë e strukturave në veri, si dhe për proceset politike në Kosovë.
“Edhe më herët kemi kërkuar ligjin për amnistinë, sepse ai do të mundësonte që në Kosovë të funksiononte baza ligjore, e domosdoshme, dhe të bëheshin veprimet e duhura nga institucionet e Kosovës, pavarësisht nga përkatësia nacionale, pavarësisht nga interesat që ndërlidhen tani edhe me marrëveshjen në veri. Kjo nuk është bërë deri më tani, dhe meqë po ndodh tani, prejudikon se dikush dëshiron t’i amnistojë ata, të cilët deri dje kanë bërë vepra kriminale në veri të Kosovës. Ne duhet të jemi shumë të kujdesshëm në këtë drejtim, sepse duke u munduar që të neutralizojmë gjendjen, mund ta nisim edhe më tutje një veprim antiligjor të qytetarëve, të cilët janë mësuar në vazhdimësi t’i kundërshtojnë ligjet ose të bien ndesh me to”, thot Isufi.
Sipas tij, meqë nuk ka një draft, më së miri këtë duhët ta sqarojë ministri i Drejtësisë dhe pala e Kosovës, e cila është në bisedime. /Indeksonline/