E Diel, 1 Nëntor 2026

Serbia ka edhe një javë kohë për ndryshim të qëndrimit?

Zyrtarët nga kabineti i baroneshës Catherine Ashton nuk qartësojnë nëse ndërmjetësja e dialogut politik në mes të Kosovës dhe Serbisë do ishte e gatshme që të thërret raund të ri të dialogut, ashtu siç ka kërkuar Beogradi zyrtar.

E pyetur rreth kësaj çështje, Maja Kocijançiq, zëdhënësja e shefes së diplomacisë evropiane, vetëm citoi reagimin e mbrëmshëm të baroneshës Ashton pas konfirmimit zyrtar se Qeveria e Serbisë ka refuzuar marrëveshjen me Kosovën ku ajo kërkon nga autoritete serbe që të bëjnë përpjekjen e fundit për arritjen e marrëveshjes.

Sipas burimeve diplomatike të Brukselit kjo ftesë e Ashtonit nënkupton se Beogradi zyrtar e ka gati edhe një javë në dispozicion për ndryshim të qëndrimit nëse dëshiron që samiti i Bashkimit Evropian në qershor të jetë frytdhënës për Serbinë.

Sipas Kocijançiq, veprimet e Bashkimit Evropian përballë Beogradit zyrtarë bazohen në konkluzat e samitit të dhjetorit. Ajo konfirmon se pavarësisht refuzimit të djeshëm, Komisari për Zgjerim, Stefan Fyle, gjithashtu edhe shefja e diplomacisë Evropiane do i dorëzojnë raportet e tyre në lidhje me Kosovën dhe Serbinë.

Në të vërtetë, më 16 prill Komisioni Evropian, miraton raportin për përparimin në procesin e integrimeve për këto vende, ndërsa më 22 prill baronesha Ashton raporton para ministrave të jashtëm të bashkimit evropian për procesin e dialogut. Këto dy moment janë vendimtare për atë se çfarë do ndodhë në samitin e qershorit pasi që vihen kornizat për vendimin formal të shefëve të shteteve dhe qeverive të vendeve anëtare të BE-së.

Nga mbledhja e qershorit Kosova, shpreson marrjen e vendimit për nisjen e negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim Ascoiimit, ndërsa Serbia pret dritën jeshile për negociatat e anëtarësimit me BE-në.

Të dyja janë ngushtë të lidhura me rezultatet konkrete nga dialogu politik. Nëse deri më 15 prill Serbia nuk pranon propozimin e Ashtonit atëherë shteti nuk mund të llogaritë në vendime pozitive në qershor./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›