“Projekti që do sjellë gazin nga Kaspiku drejt Evropës, do kalojë në Shqipëri”

Kryeministri Sali Berisha merr garancinë e presidentit të Azerbajxhanit
Gjatë punimeve të konferencës së 48-të të Sigurisë që po mban punimet në Mynih, në qendër të vëmendjes kanë qenë edhe çështje si energjia. Duke komentuar këtë fakt, kryeministri Sali Berisha tha se në takimin e tij me presidentin e Azerbajxhanit, veçoi bisedën lidhur me projektin e gazit “Trans Adriatik”, kur dihet që Shqipëria, tashmë po lobon që projekti që do të sjellë gazin nga deti Kaspik drejt Europës, të kalojë në territorin e saj. “Shqipëria është një vend me potenciale të mëdha, por është një vend gjithashtu, në të cilën duket se do të kalojnë dhe gazsjellës të mëdhenj, që do të sjellin gazin nga deti Kaspik drejt Europës. Ndaj dhe e konsiderova shumë të rëndësishme këtë seancë. Bisedova me faktorë kryesorë siç është presidenti Azerbajxhanit, ku unë së shpejti do të kem një vizitë zyrtare në këtë vend mik, por dhe me faktorë dhe me përfaqësues të tjerë të rëndësishëm në fushën e energjisë”, u shpreh kryeministri Berisha. Konferenca e Sigurisë e Mynihut u drejtua nga diplomati gjerman Wolfgang Ischinger, ndërsa mbajtën fjalën krerë shtetesh, ministra dhe drejtues të institucioneve të rëndësishme ndërkombëtare.
...