Serbia nderon regjentin e ndjerë
Pas 70 vjetësh, eshtrat e princit Pavel kthehen në shtëpi
Princi Paul, regjenti kontrovers që u përpoq të mbante Jugosllavinë jashtë Luftës së Dytë Botërore, dhe emri i të cilit u përgojua për vite, do të rivarroset në vendin e tij të origjinës me nderime të larta shtetërore. Qeveria serbe po përgatit mirëseardhjen me nderimet më të larta shtetërore për eshtrat e ish-regjentit të Jugosllavisë, që u rrëzua nga pushteti në vitin 1941 dhe u përgojua për vite të tëra pas fundit të Luftës së Dytë Botërore. Trupat e princit Paul Karadjordjeviç, princeshës Olga, dhe djali i tyre, Nikola, u zhvarrosën në Lausanne, Zvicër, më 28 shtator. Trupat do të vendosen në Katedralen e Beogradit të enjten dhe të premten për një ceremoni, në të cilin do të marrin pjesë zyrtarë të lartë dhe klerikë. Të shtunën, eshtrat do të sillen në mauzoleumin mbretëror të Serbisë, në Oplenac, afër Toplenacit në Serbinë qendrore. Jelisaveta Karadjordjeviç, vajza e regjentit, thotë se princi Paul do të rivarroset në kishën Shën Gjergji në Oplenac, përballë babait të tij, Arsen. Nëna dhe vëllai i saj do të varrosën në krah të tij. Princi Paul, Knez Pavle në serbisht, u bë regjent në Jugosllavi, pasi kushëriri i tij, mbreti Alexander, u vra në Marsejë, Francë, në vitin 1934. Gjatë viteve që ishte në pushtet, ai u përpoq ta mbante Jugosllavinë larg konflikteve të fuqive të mëdha dhe bëri përpjekje të mëdha për të krijuar paqe të qëndrueshme mes serbëve dhe kroatëve. Rezultat i kësaj ishte “marrëveshja” historike, në vitin 1939, që krijoi entitetin autonom kroat në Jugosllavi, e njohur si “Banovina”. Kur Lufta e Dytë Botërore filloi në vitin 1939, princi Paul, (edhe pse motra e bashkëshortes së tij ishte dukeshë nga Anglia dhe ai vetë kishte lidhje të forta me familjen mbretërore angleze), refuzoi t’u bashkohej forcave aleate, nga frika se përfshirja në konflikt vetëm do të çonte në një luftë civile në vendin e tij. Sidoqoftë, iu dorëzua presionit të gjermanëve në fund, dhe për pasojë qeveria jugosllave nënshkroi Paktin Trepalësh në mars të vitit 1941, që i lejoi trupat gjermane të kalojnë përmes vendit. Pakti shkaktoi pakënaqësi të madhe mes serbëve të Jugosllavisë, dhe u ngrit menjëherë një grusht ushtarak në vitin 1941 që e largoi regjentin me forcë nga pushteti. Jugosllavia u pushtua disa ditë më vonë. Regjenti dhe familja në atë kohë ishin në ekzil.
Kur komunistët erdhën në pushtet në Jugosllavi, e akuzuan princin Paul “se kishte shkelur kushtetutën, duke marrë pushtetin dhe injoruar përfaqësuesit e popullit”, si dhe “kishte nënshkruar paktin trepalësh dhe kështu kishte kontribuuar në luftën agresive të fuqive të Boshtit”.
Gjatë luftës, qeveria angleze e mbajti princin Paul dhe familjen e tij nën arrest shtëpiak në Kenia, Afrikë. Princi Paul u ndalua të kthehej në Jugosllavi dhe nuk ishte i mirëpritur në Angli, duke qenë se kishte refuzuar ta ndihmonte Anglinë në fillim të luftës, kështu që e kaloi jetën duke lëvizur në vende të ndryshme, fillimisht në Kenia, pastaj në Afrikën e Jugut, dhe më pas në Francë. Vdiq në Paris në moshën 83-vjeçare në vitin 1976.
Në vitet e fundit, armiqësia në ish-Jugosllavi ndaj kujtimit të princit, u zvogëlua. Dhjetorin e shkuar, Gjykata e Lartë në Beograd rehabilitoi zyrtarisht kujtimin e tij dhe hodhi poshtë një verdikt të komisionit shtetëror të shtatorit 1945, që e deklaroi princin kriminel. Princesha Olga vdiq në vitin 1997. Djali vdiq para të dyve, në vitin 1954.
Serbia nderon regjentin e ndjerë burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip