Serbia në BE, Pack: Kusht marrëdhëniet e mira me fqinjët

“Konflikti në kufi që shpërtheu ditët e fundit mes Serbisë dhe Kosovës, flet qartë për strukturat mafioze në rajon”. Kështu ka deklaruar eurodeputetja dhe ekspertja për Ballkanin, Doris Pack.
Duke folur për situatën në veri të Kosovës, ajo thekson se Beogradi duhet të kujdeset që të ketë marrëdhënie të mira me Kosovën, pasi kur nuk ka marrëdhënie të mira me fqinjët, nuk mund të hysh në BE.
“Pra ky është një kusht që Serbia duhet ta përmbushë, por kështu si veprohet aktualisht nuk mund të vazhdohet. Unë nuk mund të them nëse kjo mund të bëhet përmes njohjes direkte vitet e ardhshme, apo përmes rezultateve në dialogun Kosovë-Serbi, që ka filluar tani. Por e përsëris: marrëdhëniet e mira me fqinjët janë kusht për anëtarësimin në BE”, shprehet Pack.
Ndër të tjera, eurodeputetja thekson se faktori ndërkombëtar dhe në thelb OKB-ja, nuk ka bërë asgjë që Mitrovica të mbetet një pjesë e Kosovës.
“ Janë serbët në veri të Mitrovicës të cilët mbahen si të thuash peng nga shumë kriminelë, dhe natyrisht mbështeten financiarisht nga Beogradi. Ky është problemi”, nënvizon ajo.