Beograd, miratohet “Deklarata për Kosovën”

Pas dhjetë orë debatesh, me 181 vota pro, Parlamenti i Serbisë e ka miratuar "Deklaratën për Kosovën". Para votimit, deputetëve iu është drejtuar presidenti serb, Boris Tadic, ndërsa pro kësaj deklarate kanë votuar deputetët e mazhorancës, si edhe dy partitë opozitare, Partia Progresive dhe Partia Radikale.
Deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Riza Halimi, ka votuar kundër kësaj deklarate.Deputetet e Partisë Demokratike Serbe dhe Partisë Liberal-Demokrate, nuk kanë votuar.
Në këtë deklaratë dënohet çfarëdolloj dhune në Kosovë, ftohet për zgjidhje paqësore të krizës pas dërgimit të njësive speciale ROSU për marrjen e vendkalimeve në Jarinje dhe në Bërnjak, si dhe për vazhdimin e dialogut.
Përfaqësuesit e Qeverisë serbe në seancën e Parlamentit serb për Kosovën i kanë akuzuar autoritetet në Prishtinë si fajtorë për krizën duke thënë se Serbia është e gatshme për zgjidhje paqësore, ndërsa partitë opozitare kanë kërkuar nga Qeveria që të shpjegojë hapat konkretë për zgjidhjen e problemit.