Serbia nis kërkimet e një tjetri varri masiv
Serbia ka filluar kërkimet në liqenin e Peruçacit për gjetjen e viktimave nga luftërat në Bosnjë dhe në Kosovë. “Ne po kërkojmë në liqenin e Peruçacit për të parë nëse ka mbetje njerëzore. Operacionet kanë nisur në bazë të dy kërkesave, një të ardhur nga Bosnja dhe një nga Kosova”, tha Velko Odaloviç, kreu i grupit punues të Serbisë për personat e pagjetur. Liqeni, për shkak të temperaturave të larta, ka një rënie prej 18 metrash të nivelit të ujit, çfarë krijon mundësinë më të përshtatshme për kërkime.
“Kemi zhytës, zjarrfikës e policë në vendngjarje dhe përreth saj”, tha Odaloviç. Delegacioni i Prishtinës për bisedime me Beogradin në kuadër të grupit punues për persona të pagjetur ka udhëtuar për në Komunën e Bajna-Bashtës në Serbi për të marrë pjesë në hetimet shtesë që po zhvillohen në liqenin e Peruçacit. Të pranishëm në vendngjarje janë dhe delegacione të grupeve punuese për të pagjeturit nga Bosnja dhe nga Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Pagjetur. Zyrtarët kosovarë kanë kërkuar hetime në këtë vend, pasi një numër personash, që janë ende të pagjetur, ishin familjarë apo bashkëfshatarë me të vrarët që janë gjetur në vitin 2001 në një varrezë masive pranë Peruçacit, tha Odaloviç. Gjatë luftës në Kosovë, forcat serbe kanë zhvendosur në pjesë të ndryshme të Serbisë kufomat e mijëra viktimave shqiptare. Gjatë këtyre ditëve, në liqenin e Peruçacit në Komunën e Bajna-Bashtës në Serbi, do të zhvillohen hetimet shtesë në kërkim të personave të pagjetur nga Kosova, ku do të marrin pjesë edhe përfaqësues nga Kosova, bën të ditur një informatë për median nga Komisioni Qeveritar për Persona të Pagjetur. Sipas kësaj informate, delegacioni i Prishtinës për bisedime me Beogradin në kuadër të grupit punues për persona të pagjetur, i përbërë nga Prenk Gjetaj, kryetar i Komisionit Qeveritar për Persona të Pagjetur, Arsim Gërxhaliu, ekspert mjekoligjor, si dhe ekspertët ndërkombëtarë nga Departamenti për Mjekësi Ligjore, kanë udhëtuar për në Komunën e Bajna-Bashtës në Serbi, për të marrë pjesë në hetimet shtesë që do të zhvillohen gjatë këtyre ditëve në liqenin e Peruçacit. Hetimet në këtë lokacion të dyshimtë janë duke u realizuar pas kërkesave të parashtruara nga ana e delegacionit të Prishtinës në kuadër të grupit punues për persona të pagjetur, të proceduara në seancat e mëparshme të këtij grupi në Prishtinë dhe në Beograd. Në fillim të muajit, misioni europian i sundimit të ligjit në Kosovë, EULEX, ka thënë se po bëhet gati për ekzaminimin e dy varrezave masive, pa treguar vendndodhjen e tyre të saktë. Zëdhënësja Irina Gudjeleviç ka thënë se janë duke u bërë përgatitjet për ekzaminimin e dy varrezave dhe se punimet do të duhej të nisnin shumë shpejt. Ajo ka thënë se deri më tani janë bërë 190 operacione në terren. Gudjeleviç ka pohuar se pjesëmarrja e ekspertëve të mjekësisë ligjore të EULEX-it do të kufizohen vetëm në këshillim dhe në mbikëqyrje. Më herët janë përmendur si vende (në Kosovë, Serbi e Maqedoni) ku dyshohet për varreza masive: Kosharja, Livoçi, Buteli, Medvegja, Peruçaci, Bellaqevci dhe Rudnica. Andrijevica (në Mal të Zi), ku ndërkohë u bënë hulumtime, rezultoi të mos ketë eshtra shqiptarësh, të vrarë gjatë luftës në Kosovë, më 1999-n.
#