Netanjahu: Sulmi ishte i drejtë
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu, ka dëshmuar për herë të parë para komisionit hetimor të ngritur nga qeveria për ndërhyrjen e përgjakshme të forcave izraelite kundër flotës humanitare për Gazën. Para komisionit, Netanjahu e mbrojti, ashtu siç pritej, ndërhyrjen e marinës si legjitime. Ai deklaroi: "Marina jonë nuk kishte asnjë rrugëdalje tjetër, veç ndalimit të anijes. Në pesë anije nuk pati rezistencë dhe si pasojë as të plagosur. Në anijen e madhe ngjarja rrodhi tërësisht e paplanifikuar. Ajo nuk ishte një anije dashurie, ishte një anije e urrejtjes. Ata nuk ishin pacifistë, as aktivistë të paqes. Ata ishin mbështetës të dhunshëm të terrorizmit”. Më pas ai tha: “Kam besim tek ushtarët izraelitë dhe gjithë Izraeli është krenar për ta”. Këto ishin fjalët e Netanjahut që mbrojti me forcë veprimin e ushtarëve të tij teksa fliste përpara komisionit hetimor “Turkel” që heton për sulmin ushtarak të 31 majit kundër anijeve të flotiljes “Freedom”, ku humbën jetën nëntë aktivistë turq. “Ky hetim do të vendosë për të vërtetën”, shtoi më tej Kryeministri izraelit. “Jam i sigurt se përgjatë hetimit tuaj do të vendosni se shteti i Izraelit dhe ushtria e tij kanë vepruar sipas ligjit ndërkombëtar dhe se ushtarët izraelitë në bordin e anijes ‘Marmara’ kanë dëshmuar guxim në kryerjen e detyrës dhe në mbrojtjen nga një kërcënim real i jetëve të tyre”, shtoi më tej ai. Kryeministri, që mbrojti edhe bllokadën navale të vendosur në Rripin e Gazës, e nisi dëshminë e tij në Jerusalem, përpara komisionit të udhëhequr nga gjykatësi Jacob Turkel. Ai tha se Izraeli ishte i justifikuar në ndalimin e anijeve, sepse këto anije po përpiqeshin të thyenin bllokadën që Izraeli kishte vendosur për Hamasin në Gaza. Sipas tij, bllokada ka për qëllim parandalimin e terrorizmit në Gaza, pas përpjekjeve të liderëve të Hamasit për rritjen e arsenalit të armëve që përdoren për akte terroriste. Deri të mërkurën do të pyeten edhe ministri i Mbrojtjes, Ehud Barak, dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm Izraelit, Gabi Ashkenazi, se kur dhe në çfarë mase ata kishin qenë të informuar për aksionin ushtarak. Sipas disa vëzhguesve, hetimi nuk do të shkojë realisht te shkaqet se përse operacioni shkoi aq keq. Vëzhguesit thonë se hetimet ndërkombëtare që mund të pasojnë mund të jenë më analitike dhe kritike për politikën e qeverisë izraelite në Gaza. Turqia e kritikoi hetimin e brendshëm izraelit, si të pavlerë. Izraeli i akuzuar nuk mund të jetë njëherazi edhe gjyqtar, edhe prokuror. Marina izraelite para dy muajsh sulmoi një anije të flotës humanitare për të ndihmuar Gazën, ku u vranë nëntë aktivistë propalestinezë nga Turqia. Vdekja e nëntë aktivistëve turq kur komandot izraelitë bastisën anijen e tyre në ujërat ndërkombëtare, çoi në protesta në mbarë botën dhe shkaktoi një krizë diplomatike mes Izraelit dhe Turqisë. Në atë kohë Izraeli tha se aktivistët që ndodheshin në anije, të cilët çonin ndihma humanitare për në Gaza, ishin të vendosur të sulmonin ushtarët e tyre. Komisioni hetimor për këtë ngjarje është i përbërë nga 7 gjykatës, midis të cilëve edhe dy vëzhgues të huaj. Ngjarja mendohet se do të hetohet edhe nga OKB-ja, e cila do e zhvillojë seancën e parë dëgjimore më 10 gusht.
#