E Diel, 1 Nëntor 2026

Serbia pranon të ndryshojë rezolutën

Sipas të përditshmes serbe “Politika”, marrëveshja midis Serbisë dhe BE-së për ndryshimin dhe rishikimin e rezolutës, është arritur të enjten pas takimit të presidentit serb Boris Tadiç me ministrin e Jashtëm të Gjermanisë, Guido Vestervele.

“Serbia dhe Bashkimi Evropian do ta ndryshojnë së bashku rezolutën e paraqitur tashmë në OKB dhe së bashku do të përpiqen të gjejnë zgjidhje për problemet ekzistuese midis Beogradit dhe Prishtinës”, shkruan gazeta, e cila i referohet burimeve zyrtare të Presidencës së Serbisë. “Politika” thekson se Serbia dhe Bashkimi Evropian do të ofrojnë mundësi dialogu për çështje të rëndësishme që do të mbaheshin mes autoriteteve të Beogradit dhe atyre të Prishtinës.

Shtetet kryesore të Bashkimit Evropian e kanë kritikuar Serbinë për dorëzimin e rezolutës për Kosovën në OKB pa marrëveshje me Brukselin. Sipas tyre, kërkesa që bëhet në rezolutë për negociata të reja për statusin, është e papranueshme, pasi Kosova është shtet i pavarur dhe se me Opinionin e GJND-së ka përfunduar debati rreth kësaj teme.

Shefi i diplomacisë gjermane, Vestervele, deklaroi një ditë më parë në Beograd se nëse Serbia dëshiron të ketë perspektivë evropiane, atëherë duhet ta pranojë realitetin - Kosovën e pavarur. Sipas tij, dialogu për çështje të tjera duhet të zhvillohet në Bruksel dhe jo në Nju Jork.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›