E Shtunë, 31 Tetor 2026

Serbia s’e fiton statusin e kandidatit

Këshilli i Europian vendosi sot në mëngjes që Serbia në mars ta marrë statusin e kandidatit për anëtarësim në BE, me kusht që të shënojë përparime të mëtejshme në dialogun me Prishtinën.

Serbia duhet gjithashtu të mundësojë lirinë e plotë të lëvizjes për EULEX-in dhe KFOR-in. Takimi i Këshillit, i cili zgjati mbi 10 orë, përfundoi të premten në mëngjes.

Presidenti i Këshillit, Herman Van Rompuy, tha në një konferencë shtypi se e gjithë rrjedha e parë e seancës i përkushtohej krizës në eurozonë, dhe se për zgjerim do të flitet gjatë ditës.

Megjithatë, sipas dokumentit të konkluzioneve me të cilat disponon Tanjug, e të cilat janë konfirmuar nga burimet diplomatike, Këshilli tashmë ka marrë vendim për zgjerimin, ndërsa shpallja publike pritet të bëhet të premten pasdite.

Sipas dokumentit, në pikën 16 të konkluzioneve të Këshillit, Serbia deri në mars 2012 do ta marrë statusin e kandidatit, nëse Këshilli deri atëherë bindet se "Serbia po dëshmon angazhim bindës dhe se ka shënuar përparime në zbatimin e marrëveshjeve të arritura në dialog, përfshirë menaxhimin e integruar të kufijve, marrëveshjen për bashkëpunim të plotë rajonal, si dhe të bashkëpunojë aktivisht që të mundësohet zbatimi i mandatit të EULEX-it dhe KFOR-it".

Mbledhja e Këshillit, të cilin e përbëjnë 27 krerët e shteteve dhe qeverive të vendeve anëtare të BE-së, u mblodhën natën mes të enjtes dhe të premtes deri në orët e hershme mëngjesit, ndërsa do të vazhdojnë punën pas një pauze të shkurtër me nënshkrimin e traktatit të pranimit me Kroacinë.

Lajmin për shtyrjen e kandidaturës së Serbisë e ka transmetuar edhe agjencia britanike Reuters, e cila është thirrur në burime të paidentifikuara diplomatike.

"Udhëheqësit e BE-së mund të shtyjnë të premten vendimin për dhënien e statusit të kandidatit zyrtar për anëtarësim në BE, për shkak të shqetësimeve se Beogradi nuk ka bërë sa duhet për të përmirësuar marrëdhëniet me Kosovën", thonë diplomatët e BE-së sipas Reuters.

Agjencia citon diplomatin e BE-së të thotë se Këshilli i Europian mund të angazhojë ministrat, më së largu deri në mars, për të vërtetuar nëse Serbia ka përparuar. Ndërsa, një tjetër diplomat ka thënë se momentalisht vendimi do të shtyhet për në mars.

Për një vendim pozitiv për Serbinë duhet konsensusi i plotë i të gjitha shteteve të BE-së.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›