E Shtunë, 31 Tetor 2026

Marnhac takoi Tadicin, mirëpret progresin lidhur me barrikadat

Shefi i Misionit të EULEX-it, Xavier de Marnhac ka takuar në Beograd Presidentin e Serbisë, Boris Tadic.

Sipas një njoftimi te EULEX-it, takimi u mbajt në një atmosferë të përzemërt.

"Çështja kryesore e diskutuar ishte nevoja për të përmirësuar ndjeshëm lirinë e lëvizjes në veri të Kosovës. Shefi i misionit theksoi faktin se barrikadat në veri duhet larguar dhe se duhet të ketë qasje të përhershme dhe të pakushtëzuar për të gjithë, përfshirë EULEX-in dhe organizatat ndërkombëtare. Rikthimi i lëvizjes së lirë është një parakusht absolut për sundim të efektshëm të ligjit në tërë Kosovën", thuhet ne njoftim.

“Takimi shkoi mirë. Kam ngritur disa çështje të rëndësishme. E mirëpres thirrjen e bërë së fundmi nga z.Tadiç për largimin e barrikadave në veri të Kosovës. Unë besoj se veprimet do të pasojnë. Është e rëndësishme që të ketë lëvizje të plotë në rrugët e veriut të Kosovës, jo vetëm për EULEX-in dhe KFOR-in, por edhe për popullatën, në mënyrë që ata të mund të vazhdojnë me jetërat e tyre të përditshme", tha Xavier de Marnhac.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›