Topi: Projektet e vijave ndarëse janë refuzuese

Ai këto komente i bëri në konferencën e Ministrave të Mbrojtjes A-5 Karta e Adriatikut, në të cilën konferencë është duke marr pjesë edhe ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës i Republikës së Kosovës, Agim Çeku dhe komandanti i FSK-së, gjeneralmajor Kadri Kastrati.
Konferenca, e cila është duke u mbajtur në qytetin e Durrësit, ka mbledhur ministrat e Mbrojtjes të vendeve të rajonit, por edhe në këtë konferencë si në të tjerat, mungon përfaqësuesi i Serbisë.
Presidenti shqiptar, ka thënë se ky takim ashtu si takimet tjera periodike në mbrojtjen e fushave të sigurisë, vjen si një shprehje e qartë e një realiteti të ri rajonal dhe bashkëpunimit intensiv mes vendeve të rajonit.
Për më tepër ai ka shtuar se Shqipëria konfirmon mbështetjen e plotë dhe dëshirën e madhe të gjitha vendeve të rajonit, përfshirë edhe shtetin më të ri Kosovën, të bëhen pjesë e projektit të përbashkët Euro-Atlantik.
Ai ka shprehur bindjen se integrimi i gjitha vendeve në NATO, përbënë një garanci reale për forcimin e paqes, stabilitetit dhe zhvillimit demokratik afatgjatë për gjithë rajonin tonë, pasi përvoja e deritanishme e vendeve të rajonit, është dëshmi e kësaj bindje, por edhe suksesi i politikës së dyerve të hapura të NATO-s ndaj çdo vendi aspirant.
I pari i Shqipërisë ka thënë se vendet tona mund të bëjnë akoma më shumë për të qenë parandalues dhe neutralizues, në çdo kohë të çdo kërcënim, që lidhet sidomos me emergjencat civile.
Duke folur për situatën aktuale në veri të Kosovës, presidenti Topi ka thënë se ka qarqe të caktuara që kanë projekte nacionaliste, por sipas tij e rëndësishme është që vullneti politik është i qartë dhe refuzues.
“Le të shohim ngjarjet në Kosovën veriore, për të sjell ndërmend faktin se ende ka politika dhe qarqe, të cilat të ardhmen e shohin përmes projekteve nacionaliste, duke cenuar parime dhe vlera të shenjta për demokracinë. Me rëndësi themelore mbetet një vullnet i qartë politik dhe refuzues ndaj çdo projekti të tillë izolimi, ndaj çdo ideje të tillë që tenton të rishpall dhe të rivendos vija ndarëse etnike”, ka thënë presidenti Topi.
Nga ana tjetër, komandant supreme i NATO-së për Evropë, James Stavridis ka folur për sfidat, por nuk ka lënë pa përmendur edhe progresin që është arritur në Ballkanin Perëndimor gjatë 15 viteve të fundit.
“Po t’i kthejmë sytë 10 apo 15 vjet më parë në Ballkan, kujtojmë konfliktet dhe vështirësitë e mëdha, ndërkohë që sot jemi ulur të gjithë në një tryezë nga ministrat e ndryshëm të Ballkanit Perëndimor, dhe siç e tha edhe zotëri president, jemi bashkuar sot për të folur për bashkëpunimit ndërkombëtar dhe për sigurinë ndërkombëtare, dhe kjo dëshmon progresin e arritur gjatë 10 apo 15 viteve të fundit”, ka theksuar Stavridis.
Ndërsa ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë, Arben Imami ka thënë se bashkëpunimi rajonal ka një dimension të ri në vitet e fundit, sidomos me konceptin e ri strategjik të NATO-s.
“Jemi krenar të konstatojmë se vendet tona kanë ecur përpara drejt këtij objektivi final. Jam i bindur se diskutimet, shkëmbimet e mendimeve dhe përvojave do të na qojnë në realizimin e këtij objektivi. Bashkëpunimi rajonal ka marr një dimension të ri në vitet e fundit, duke pas parasysh konceptin e ri strategjik të NATO-së”, ka thënë Imami.
Për më tepër ai ka shtuar se do të caktohen fushat e reja në të ardhmen, do të koordinohen aksionet dhe veprimet tona për të arritur një bashkëpunim rajonal të qëndrueshëm, si një mjet për të siguruar paqen stabilitetin dhe zhvillimin ekonomik në rajon dhe përtej.
Ndryshe pas hapjes së konferencës, është mbajtur sesioni i parë me temën “Bashkëpunimi rajonal: Sfidat dhe pritshmëritë e reja”, ku do të mbajnë nga fjalë rasti të gjithë ministrat e mbrojtjes, ndërsa në sesionin e dytë do të diskutohet “Operacionet paqeruajtëse: Mësimet e nxjerra dhe angazhimet në të ardhmen”. Në të dy sesionet mban një fjalë rasti edhe ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Agim Çeku.
Prezent në këtë konferencë janë ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë, Arben Imami, ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Agim Ceku, ministri i Mbrojtjes së Maqedonisë, Fatmir Besimi, ministri i Mbrojtjes së Mali të Zi, Boro Vuqiniq, i Kroacisë, Pjer Simunoviq, Bosnjë dhe Hercegovinës, Selmo Çikotiq dhe ai i Sllovenisë, Ljubica Jeloshiq.