E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në anën tonë

Baronesha Ashton ka njoftuar se BE do të nisë dialogun për liberalizmin e vizave me Kosovën së shpejti. Por, ajo ka kërkuar nga Kryeministri Thaçi reforma në fushën e sundimit të ligjit dhe zbatimin e marrëveshjeve me Serbinë. Pro këtyre marrëveshjeve është deklaruar edhe Sekretarja amerikane Hillary Clinton, e cila pati një takimin me shefin e Qeverisë kosovare në Bruksel.

Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Europian për Politikë të Jashtme dhe Siguri ka konfirmuar se në kontekst të marrëdhënieve BE –Kosovë pritet të fillojë edhe dialogu për liberalizimin e vizave.

Por, pas një takimi që ka pasur të enjten me Kryeministrin e Kosovës, Udhëheqësja e BE’së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Catherine Ashton nuk ka përmendur ndonjë kornizë kohore se kur do të ndodhë kjo, edhe pse ka shanse që kjo të fillojë gjatë dhjetorit ose në fillim të vitit tjetër.

“Në kuadër të marrëdhënieve BE - Kosovë, unë e urova Kryeministrin për nisjen e dialogut për vizat që do të bëhet së shpejti, qëllimin e BE’së për të arritur progres në çështjet që kanë të bëjnë me tregtinë si dhe rreth pjesëmarrjes së Kosovës në programet e BE’së”, thuhet në deklaratën e Baroneshës Ashton.

Por, ajo ka kërkuar nga Hashim Thaçi sundimin e ligjit në Kosovë, si fushë ku duhet të investojë Qeveria dhe të përkrahë edhe EULEX’in.

“Theksova nevojën që Kosova të vazhdojë dhe të intensifikojë përpjekjet e saj për reforma. Unë po ashtu nënvizova rolin e rëndësishëm të EULEX’it për zhvillimet e ardhshme në Kosovë në sundimin e ligjit dhe e inkurajova kryeministrin që të sigurojë përkrahje të vazhdueshme dhe të plotë për punën e EULEX-it”, ka thënë Ashton në deklaratën për media.

Vizita e Kryeministrit Thaçi vjen pak ditë pasi Kosova dhe Serbia, me ndërmjetësimin e BE’së, arritën marrëveshje për menaxhimin e integruar të “pikëkalimeve”.

Kjo marrëveshje duket se i ka pëlqyer Baroneshës Ashton, e cila ka kërkuar që ajo të zbatohet sa më shpejt që është e mundur.

Ndryshe, në një njoftim të Qeverisë, të lëshuar pas takimit me Baroneshën Ashton, thuhet se Thaçi ka thënë që Kosova mbetet e përkushtuar për të përmbushur kushtet për rrugën drejt BE’së.

“Thaçi gjithashtu theksoi se bazuar në përkushtimin institucional të Kosovës për përmbushjen e plotë të kritereve dhe standardeve evropiane të integrimit, liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës apo nisja e procesit të dialogut të liberalizimit të vizave me të drejtë pritet që të fillojë në ditët e ardhshme”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Gjatë ditës, Zyra e Kryeministrit ka njoftuar për takimin që ka pasur Thaçi me Sekretaren Amerikane, Hillary Clinton.

Sipas njoftimit të Qeverisë, zyrtarja e SHBA’së i ka dhënë mbështetje Kosovës në fuqizimin e rendit, ligjit dhe kushtetutshmërisë në krejt territorin.

Duke folur për marrëveshjet për “pikëkalimet” kufitare, Clinton ka kërkuar që ato të zbatohen në praktikë.

“Kryeministri Thaçi i ka thënë sekretares Clinton se Kosova gjatë këtyre bisedimeve ka dëshmuar qasjen e saj euro-atlantike, për të shtuar se vendi ynë ka ndërtuar marrëdhënie të mira me të gjithë fqinjët, duke u bërë faktor i rëndësishëm i paqes dhe stabilitetit në rajon.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›