E Shtunë, 31 Tetor 2026

Serbia shtrin aktivitetin edhe në jug të Kosovës

PRISHTINE-Qeveria e Serbisë, krahas shumë investimeve të tjera në Komunën e Shtërpcës, është duke ndërtuar edhe një ndërtesë për të zhvendosurit serbë në këtë komunë.
Ivica Stamenkovic, zyrtar për ndërtime në komunën paralele serbe në Shtërpcë, ka theksuar se ky apartament banesor është vetëm fillimi i investimeve të Serbisë në këtë aspekt, sepse, sipas tij, Serbia do të ndërtojë edhe banesa të tjera për të zhvendosurit.
“Fillimisht është ndërtuar godina për 8 familje në fshatin Drekoc, mirëpo në të ardhmen pritet të ndërtohen edhe godina tjera. Këto janë investime të Qeverisë së Serbisë, përkatësisht të Ministrisë për Kosovën”, thotë Stamenkovic.
Për investimet e Serbisë në këtë komunë janë të njohur edhe zyrtarët legjitimë të Shtërpcës. Dalibor Jevtic, këshilltar politik i kryetarit të Shtërpcës, njëherësh edhe zëdhënës i Komunës, nuk e sheh shumë problematike ndërtimin e këtij apartamenti banesor, duke u krenuar me faktin se Qeveria e Kosovës po i ndërton tri godina banimi për të njëjtit refugjatë me nga 20 banesa.
“Ajo ndërtesë që po e ndërtojnë ato (strukturat paralele) është ndërtesë e vogël, për kinezë”, thotë në formë shakaje Jevtic. “Ne jemi duke i ndërtuar tri godina të tjera me gjithsej 60 banesa”.
Për të zhvendosurit serbë, që menjëherë pas luftës erdhën në Shtërpcë nga komunat përreth, Qeveria e Kosovës, përkatësisht Ministria për Kthim e Komunitete po investon rreth 1,5 milion euro në fshatin Biti për ndërtimin e tri ndërtesave kolektive për 60 familje serbësh të zhvendosur.
Të dhënat zyrtare në Shtërpcë thonë se numri i të ardhurve serbë nga komunat përreth në Shtërpcë, pas luftës, është mbi 700 persona. Nga këta 700 të zhvendosur serbë, gjysma prej tyre jetojnë nëpër qendra kolektive në Brezovicë e Shtërpcë, të cilat, po ashtu, i financon drejtpërdrejt Komisariati për Refugjatë i Beogradit.

(d.b/KohaDitore/BalkanWeb)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›