Serbia të kuptojë se Kosova është shtet

Serbia duhet të kuptojë dhe jo të bindet nga të tjerët se Kosova ekziston si shtet, ka thënë Giuliano Amato, ish-kryeministër i Italisë dhe kryesues i Komisionit Ndërkombëtar për Ballkanin.
Amato, i cili para katër vjetësh kishte dalë me propozimin që Kosova të kalojë nëpër katër faza të pavarësisë së mbikëqyrur, në një intervistë për gazetën “Politika” ka thënë se as sot nuk e ka ndërruar mendjen për këtë çështje.
“Po, megjithatë ndodhi të vijmë deri te njohja e pavarësisë së Kosovës, ndërsa Serbia ende të mendojë njësoj. Kjo e bëri të gjithë procesin shumë të komplikuar dhe vetëm Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë mund të sjellë një vendim që do të na ndihmonte”, ka thënë ai.
Ndërsa, lidhur me mospajtueshmërinë e Serbisë me statusin e Kosovës, por edhe të disa vendeve të BE-së dhe atyre të bashkësisë ndërkombëtare, Amato ka thënë se Serbia nuk ka nevojë të pajtohet, e as të bëjë ndonjë gjë për shkak të dikujt tjetër. Mirëpo, vijoi ai, mendja e shëndoshë thotë se ky shtet i vogël (Kosova) ka lindur dhe nuk mund të mendohet për një kthim 10 vjet prapa.