Sytë kah KQZ’ja

Dy kandidatët për kryetar të Komunës së Gjilanit janë duke pritur nën ethe vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) i cili pritet të merret të martën, pasi të jenë hetuar dhe numëruar të gjitha votat për këtë komunë.
Qemail Mustafa i Partisë Demokratike të Kosovës dhe Fatmir Rexhepi i Lidhjes Demokratike të Kosovës kanë pikëpamje të kundërta rreth vendimit të KQZ’së.
Derisa kandidati i PDK’së kërkon hetimin e të gjitha kutive të votimit, rinumërimin dhe gjetjen e manipuluesve të votave, ai i LDK’së kërkon të respektohet udhëzimi i Komisionit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (KZAP) së për përsëritje të balotazhit në Gjilan.
Ndonëse në vendimin e KQZ’së kërkohet hetim dhe rinumërim të votave dhe pastaj të vendoset për më tutje, një vendim i mëhershëm i KZAP’së udhëzon për rivotim edhe në Gjilan.
Respektimin e këtij vendimi e ka kërkuar edhe Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Christopher Dell.
Qemail Mustafa ende mban qëndrimin se nuk do ta pranojë asnjë vendim nga KQZ’ja nëse nuk ofron argumente bindëse se ka pasur vjedhje të votave dhe prej kujt janë shkaktuar parregullsitë.
“KQZ’ja duhet të na bindë ne që në Gjilan ose ka shkuar gjithçka në rregull dhe nëse nuk ka shkuar, atëherë kush i ka shkaktuar parregullsitë”, ka thënë Mustafa për Express, të premten.
“Fajtorët gjithmonë kanë identitet personal dhe politik dhe ata duhet të zbulohen nga KQZ’ja. Ne do ta pranojmë vendimin e KQZ’së vetëm nëse argumentet janë të qëndrueshme”, thotë ai.
Por, ndryshe mendon Fatmir Rexhepi. Ai kërkon nga KQZ’ja të korrigjojë vendimin e disa ditëve me parë dhe të zbatojë vendimin e KZAP’së për rivotime në Gjilan. “Në Gjilan ka përfunduar procesi zgjedhor më 13 dhjetor dhe KZAP’ja e ka dhënë mendimin e vet si organ fuqiplotë dhe ka shpallur zgjedhjet si të parregullta dhe nuk duhet më shumë të involvohet”, ka thënë Rexhepi.
I pyetur për të sqaruar nëse do t’i pranojë vendimet e KQZ’së që pritet të merren për Gjilanin, Rexhepi ka thënë se këtu nuk bëhet fjalë për vendim tjetër përpos rivotim në komunën e Gjilanit.
“Nëse KQZ’së i ka mbetur merak të kërcënojë shtetin ligjor, atëherë le të bëjnë cirkus me zgjedhje. Por, KQZ’ja duhet të respektojë vendimin e KZAP’së, i cili është organ kompetent dhe është i obligueshëm. Kush nuk e respekton atë vendim, tregon se nuk e respekton demokracinë ”, ka konstatuar Rexhepi.
Kryetarja e KQZ së, Nesrin Lushta, ka thënë se vendimi mbetet i pandryshuar që në këtë komunë fillimisht të bëhet rinumërimi i votave, pastaj të vendoset për rivotim. “Ne duhet të bëjmë hetime dhe rinumërim sa i përket komunës së Gjilanit. Vetëm në rast se hetohen shkelje aq të rënda, sa që ka nevojë për rivotim edhe në këtë komunë, atëherë do të shkojmë në rivotim’, ka theksuar ajo.
Në dy raunde votimesh në Gjilan, kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës ka dalë i pari.
Në raundin e parë të zgjedhjeve të 15 nëntorit, Qemajl Mustafa ka marrë 38.4 për qind e votave, kurse Fatmir Rexhepi, 27.6 për qind.
Ndërkaq, në balotazh, Qemail Mustafa ka pasur 51.4 për qind e votave, derisa Fatmir Rexhepi 48.6 për qind.