Serbi,arrestohen ish anëtarë të UÇK-së

Me urdhër të prokurorisë për krime të luftës, policia e Serbisë ka arrestuar disa pjestarë të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nën dyshimet se kanë kryer krime në tre lokacione të komunës së Gjilanit, thuhet në komunikatën e prokurorisë në Beograd. "Aksioni i arrestimit të këtyre personave me ndihmën e Ministrisë së Brandshme dhe shërbimit të zbulimit të Serbisë është planifikuar për disa muaj për shkak të rrezikut tejet të lartë të realizimit të tij, nga fakti se pothuaj të gjithë të dyshuarit kanë qenë të armatosur" thuhet në komunikatë. Njoftimi bënë të ditur se të arrestuarit akuzohen për krime që kanë kryer në periudhën qershor-tetor 1999, kur kanë rrëmbyer 159 civil të nacionalitetit serb dhe kanë vrarë të paktën 51 veta. "Përveq vrasjeve, të dyshuarit në mënyrë mizore kanë kryer një numër të madh veprash penale, si dhunime, burgosje, gjymtime, tortura dhe plaçkitje të civilëve, me qëllim të dëbimit të popullsisë serbe dhe joshqiptare nga territori i komunës së Gjilanit" thuhet në komunikatën e prokurorisë serbe në Beograd. Agjensitë serbë të lajmeve kanë njoftuar se arrestimet janë bërë në rajonin e Luginës së Preshevës.