E Diel, 1 Nëntor 2026

Serbinë askush nuk po e vë para zgjedhjes: BE-ja apo Kosova

Serbia është në një fazë të konfrontimit me vendet kryesore të Bashkimit Evropian (jo me Bashkimin Evropian, sepse BE-ja nuk ka qëndrim rreth statusit të Kosovës, prandaj as politikë të përbashkët në raportet me Beogradin rreth Kosovës) për shkak të insistimit të Serbisë që me ndihmën e vendeve të botës së tretë dhe disa kundërshtarëve të pavarësisë së Kosovës të kalojë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së një Rezolutë për Kosovën. Vendet kryesore të BE-së nuk ia mohojnë Serbisë të drejtën që si shtet i pavarur të bëjë çfarëdo hapi që do në politikën e saj të jashtme. Por, duke pasur parasysh se Serbia ka shfaqur aspirata që të bëhet anëtare e BE-së, e këtë e ka bërë edhe përmes aplikimit formal për anëtarësim, këto vende të BE-së mendojnë se minimumi i asaj që pritet nga Serbia është që të ndajë vlerat evropiane dhe të ketë raporte të sinqerta me vendet anëtare të klubit, të cilit dëshiron t’i bashkohet. Serbia përderisa kërkon anëtarësim në BE, aleatë kryesorë ka Rusinë, Iranin, Libinë, Venezuelën, Kubën dhe disa vende të tjera, të cilat nuk shihen si vende që ndajnë vlerat evropiane.
Kështu tentativa e Serbisë që në kohën kur flet për Evropën me ndihmën e vendeve të botës së tretë, me trika politikë në OKB, të punojë kundër qëndrimit të vendeve kryesore të BE-së, është zbuluar. Serbia madje po mundohet që me këtë projektrezolutë të sanojë dëmin që ia ka bërë vetes duke kërkuar mendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për ligjshmërinë e Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës.
Përgjigjja në pyetjen e Serbisë, duke iu kthyer si bumerang, ishte se nuk ka pasur kurrfarë shkeljeje të normave të së drejtës ndërkombëtare me Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës. Tash Serbia mundohet që përmes Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së të krijojë një presion politik për negociata të reja për statusin e Kosovës, diçka që askush në BE, madje as vendet që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, nuk e shohin më si mundësi. Madje edhe po të arrinte të kalonte Rezolutën në Asamblenë e përgjithshme të OKB-së, ato rezoluta nuk janë juridikisht obliguese pasi që obliguese janë vetëm rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Por rezolutat e Asamblesë së Përgjithshme kanë rëndësi politike dhe kjo është arsyeja pse vendet perëndimore e kanë marrë seriozisht këtë punë.
Në këtë kohë të konfrontimit me BE-në liderët e Serbisë, si presidenti Boris Tadiq ashtu edhe ministrat e tij, përsërisin se "Serbia nuk do ta njohë kurrë pavarësinë e Kosovës" dhe se "para Serbisë nuk bën të parashtrohet zgjedhja: Kosovën ose BE-në", sepse prapë, sipas tyre, "Serbia do të insistojë që edhe Kosova të jetë pjesë e saj edhe që Serbia të anëtarësohet në BE".
është e vërtetë ajo që thotë Tadiq se "deri tash askush nga BE-ja nuk i ka thënë Serbisë se duhet të zgjedhë mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian". Kjo është absolutisht e vërtetë sepse askush nuk mund t’i thotë më Tadiqit se Serbia mund të zgjedhë opsionin që Kosova të jetë pjesë e Serbisë. Sikur të ishte e vërtetë se para Serbisë është dilema: "BE-ja apo Kosova", atëherë, sipas kësaj logjike, Serbia, nëse do ta refuzonte BE-në, do ta fitonte Kosovën. Këtë dilemë Serbia po ia vë vetvetes si barrierë psikologjike, sepse Kosova është e pavarur dhe askush nuk po i ofron Serbisë që Kosova të bëhet pjesë e saj ndonjëherë. E pranoi Serbia apo jo, Kosova tashmë është shtet, edhe pse do të ishte më mirë sikurse edhe Serbia ta pranonte këtë si realitet.
Dilema "Kosova apo BE-ja" për Serbinë është e rrejshme, sepse kjo do të ishte dilemë mes të mundshmes dhe të pamundshmes. Anëtarësimi në BE, megjithëse me mjaft vështirësi, është diçka që është e mundur për Serbinë. Por që Kosova të jetë pjesë e Serbisë, kjo nuk është e mundur.
Ajo që po ashtu është e mundur, është që duke insistuar në të pamundurën, pra në tentativën për vënien e Kosovës nën Serbi, kjo e fundit mund ta rrezikojë edhe më shumë rrugën edhe ashtu të gjatë drejt integrimeve në BE. Në këtë rrugë Kosova nuk është pengesa e vetme e Serbisë, sepse, edhe po të mos ishte kjo çështje, Serbia edhe ashtu nuk do të mund të jetë gati për anëtarësim në dhjetë vjetët e ardhshëm. Para shumë vjetësh diplomati amerikan, Richard Holbrook, në kohën kur ende nuk  kishte dalë plani ndërkombëtar për pavarësinë e mbikëqyrur të Kosovës, kishte thënë se "Serbia duhet të zgjedhë BE-në e jo Kosovën, sepse nëse zgjedh Kosovën do t’i humbë të dyja".
Për shkak se dëshiron stabilitet afatgjatë dhe prosperitet të rajonit, dhe e ka të qartë se ky rajon në të ardhmen do të jetë i integruar në BE, Bashkësia ndërkombëtare ende i ofron Serbisë kompromise rreth paraqitjes së përbashkët në OKB. Por ky kompromis më nuk mund të mbështetet në idetë për rinegociim të statusit të Kosovës e as ndarja territoriale e Kosovës.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›