E Diel, 1 Nëntor 2026

Seri vjedhjesh në Sarandë, autorët të paidentifikuar

Saranda bie pre e vjedhësve të paidentifikuar. Pres disa ditësh në këtë qytet mësohet nga burime të policisë se janë kryer disa vjedhje kryesisht biznesesh, të cilat, deri tani kanë mbetur pa autor. Një prej dyqaneve të vjedhura së fundi, ka qenë ai biznesit të prodhimit të perdeve. Vjedhësit kanë arritur të thyejnë portën e xhamtë të lokalit, duke grabitur veç materialeve me të cilat punoheshin perdet, të hollat sasia e të cilave nuk bëhet e ditur, si dhe një televizor plazma. Për këtë grabitje, mesnatën e së dielës janë shoqëruar në polici disa persona për tu pyetur për llogari të hetimeve. Më pas janë lënë të lirë për mungesë provash në implikimin e vjedhjes së biznesit të prodhimit të perdeve. Po kështu, disa vjedhje janë regjistruar në ditët e fundit edhe në qytetin e Delvinës, ku konstatohet se në një kohë të shkurtër janë vjedhur disa dyqane, të materialeve e pajisjeve motorike e pjesë këmbimi për makinat, etj. Fenomeni i vjedhjeve është ndër krimet që zënë vendin e parë në llojshmërinë e tyre, por po në këtë vend renditen edhe për mungesën e zbulueshmërisë dhe goditjes ndaj tij. Për këtë dukuri të mos zbulimit të vjedhjeve, kohë më parë ka reaguar edhe Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Sarandë, e cila në analizën e saj ka kritikuar organet e rendit për mungesë të efikasitetit të punës zbuluese të elementit të përfshirë në strukturat e krimit kundër pasurisë e veçanërisht në vjedhje, i cili ka qenë dhe është shumë problemor në Sarandë dhe Delvinë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›