E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bashkia e Durrësit: Menaxhimi e mbetjeve urbane, nga firmave koncesionare

Bashkia e Durrësit ka propozuar që mbetjet urbane të menaxhohen me anë të koncesionit nga firma vendase ose të huaja. Bashkia e qytetit bregdetar propozoi që të miratohet në parim dhënia me koncesion e shërbimit të përpunimit dhe administrimit të mbetjeve të ngurta në këtë qytet. Problemi i këtyre mbetjeve, të cilat ende pas kaq vitesh vazhdojnë të hidhen në fushë të hapur, nuk ka gjetur një zgjidhje të pranueshme nga institucionet vendore dhe ato që monitorojnë normat e mjedisit. Në bazë të shifrave që deklarohen nga Bashkia e Durrësit, çdo ditë ky qytet prodhon një sasi prej 120-150 ton mbeturina, duke bërë që një banor të prodhojë 0.7-0.8 kg mbeturina në ditë. Prej vitesh, prodhimi vjetor i mbeturinave në qytetin e Durrësit ka shënuar rritje progresive, e cila lidhet edhe me rritjen e popullsisë e cila aktualisht është rreth 200 000 banorë. Në një vit sasia e mbeturinave që hidhen në këtë vend varion nga 80-90 mijë ton, ndërkohë që ato janë mbetje urbane të paseleksionuara dhe të ndara në disa lloje. Mbetjet urbanet qytetit të Durrësit hidhen në fushën që gjendet midis Porto Romanos dhe Sektorit Rinia në komunën Katund i Ri. Në këtë vend, këto mbetje nuk përpunohen, vetëm sa ngjishen dhe sistemohen nga një fadromë që është vënë nga ndërmarrja komunale e bashkisë. Propozimi i bashkisë për këtë problem ka qenë që si fillim në këtë vend të ngrihet një platformë seleksionimi, më pas ndërtimi i një pjese ndarëse me një dalje në njërën anë të mbeturinave të shfrytëzueshme dhe një dalje tjetër për mbeturinat e fundme. Gjithashtu, parashikohet ndërtimi i një qendre të groposjes teknike, e cila do të jetë për pritjen e mbetjeve të fundme të dala nga operacione të ndryshme, mbetje shtëpiake në të ardhmen, në një pikë të veçantë të depozitohen mbetjet spitalore dhe industriale të konsideruara të rrezikshme dhe në një pikë të fundit për mbetjet inerte. Implementimi i planit lokal për menaxhimin e mbeturinave të ngurta në qytetin e Durrësit dhe dhënia e këtij shërbimi me koncesion pritet të ketë shumë anë pozitive, nga të cilat zyrtarët e bashkisë kanë përmendur: përdorimin e teknologjive të sigurta dhe bashkëkohore, zvogëlimin e volumit të mbeturinave që gjenerohen nga aktiviteti i përditshëm i popullatës, ndërtimin e infrastrukturës së riciklimit, zbatimin e protokollit të Kyotos, minimizimin e ndotjes së ajrit, ujit e tokës, gjenerimin e energjisë duke përdorur lëndë djegëse mbetjet fosile etj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›