E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përplasen grekët, Panajot Barka padit Dulen dhe Bollanon

Nisi dje seanca gjyqësore në ngarkim të kreut të PBDNJ dhe kryebashkiakut të Himarës 
Kërkohet dëshmia e kreut të PBDNJ dhe kreut të Bashkisë së Himarës për të vijuar procesin gjyqësor në ngarkim të tyre, për shpifje ndaj Panajot Barkës. Për këtë qëllim është shtyrë edhe seanca e parë gjyqësore e zhvilluar ditën e djeshme, e cila kishte për qëllim pajtimin e palëve akuzuese dhe të akuzuara. Gjyqtari i çështjes, Arqile Basho, pasi ka lexuar aktpadinë për shpifje në ngarkim të PBDNJ, OMONIA dhe gazetës në gjuhën greke Zëri i Omonias, ka kërkuar nga paditësi nëse donte që kjo çështje të mbyllej. Pasi zoti Barka nuk ka rënë dakord, duke kuptuar që procesi ti shkohet deri në fund, seanca gjyqësore ka vijuar normalisht përgjatë 45 minutave të saj pa praninë e palës akuzuese. I ndodhur në këto kushte kryesuesi i seancës gjyqësore Arqile Basho, ka marrë vendimin e shtyrjes së seancës në fillim të muajit qershor, duke lënë për detyrë nga ana e gjyqësorit njoftimin e Vangjel Dules dhe Vasil Bollanos për tiu përgjigjur akuzave të formuluara për shpifje në adresë të Panajot Barkës, përgjegjës i Departamentit të Gjuhës, Letërsisë dhe Qytetërimit Grek në Universitetin Eqrem Cabej në Gjirokastër. Zanafilla e kësaj çështjeje që përfundoi në dyert e gjyqësorit, buron nga 25 marsi i këtij viti. Në faqet e gazetës në gjuhën greke Zëri i Omonias, zoti Barka, ish deputet i OMONIA-s në legjislaturën e parë të Kuvendit Popullor 1991-1992 njëkohësisht një prej publicistëve më të njohur nga radhët e minoritetit etnik grek në jug të vendit, është akuzuar si tradhtar i interesave greke në Shqipëri. Jo vetëm kaq, por përfaqësuesit e PBDNJ dhe OMONIA-s, Dule dhe Bollano kanë anatemuar dhe hedhur dyshime të qarta për mënyrën se si e fitoi Barka postin që aktualisht ka në Universitetin e Gjirokastrës, në krye të departamentit të gjuhës greke. Akuzat publike në drejtim të Barkës nga ana e krerëve politikë të minoritetit etnik grek në Shqipëri janë bërë në Greqi gjatë një konference shtypi, duke mos kursyer edhe për diversion të Barkës ndaj interesave greke në Shqipëri kundër Omonia-s në veçanti e veçanërisht çështjen e varrezave të ushtarëve grekë, për kundërshtinë që sipas krerëve të PBDNJ, Barka ka me kryepeshkopin e Kishës Ortodokse Shqiptare, Anastasios Janullatos etj. Në këtë dalje publike bëhet e ditur se të akuzuarit nga Barka, kanë kërkuar nga rrjeti radioteleviziv publik grek ERT, që të shikojë qëndrimin e korrespodentit të tyre në Shqipëri në këtë rast Panajot Barka, pasi politika e tij është kundër interesave helene. Kaq ka mjaftuar që Panajot Barka të formulojë akuzën për shpifje në gjyqësorin e Gjirokastrës, në ngarkim të drejtuesve më të lartë të PBDNJ. Prej më tepër se dhjetë vitesh divergjencat mes përfaqësuesve aktualë të PBDNJ dhe pjesës tjetër jo të inkuadruar në politike, kanë shkaktuar përçarje në radhët e këtij komuniteti ku pasojat nuk kanë munguar me humbjen e terreneve në zgjedhjet lokale apo parlamentare të zonave ku banohet dërrmueshëm nga shtetas shqiptarë me kombësi greke.  

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›