Vlorë, mishi dhe peshku tregtohen në rrugë, konsumatorët në rrezik
Ndonëse gripi i derrave është ende nëpër këmbë dhe vera me rrezikshmërinë e saj për epidemitë tashmë ka ardhur, tregtarët e mishit dhe produkteve të detit në qytetin e Vlorës as që duan tia dinë për kriteret që duhet të plotësojnë në aktivitetin e tyre. Ata nuk i tremben as policisë bashkiake, inspektoriateve të ushqimit, apo të shëndetësisë dhe me guxim vazhdojnë të tregtojnë aty ku ka më shumë lëvizje. Therja e bagëtive për shitje por edhe vetë shitja e tyre dhe e produkteve të detit vazhdon në përgjithësi të bëhet jashtë kushteve higjieno sanitare.
Ndonëse kjo është e dukshme për të gjithë si për qytetarët ashtu edhe për përfaqësuesit e institucioneve vendore, këta të fundit prej vitesh mbyllin sytë përpara shkeljeve të rënda në këtë drejtim. Ata që e vuajnë gjithë këtë neglizhencë janë qytetarët, që më së shumti bëhen vizitorë të pavijoneve të spitalit rajonal. Jo vetëm në periferi apo rrugë dytësore, por edhe në mes të qytetit, në tregun pranë Albtelekomit, therja e bagëtive dhe shitja e mishit të tyre bëhet në kushte mizerabël dhe po ashtu edhe shitja e peshkut nëpër lagje bëhet nga shitës pa asnjë kontroll sanitar veteriner. Në projektet e bashkisë ka vite që është përfolur për një thertore për qytetin, ashtu siç ka qenë shumë e shumë vjet më parë, që do të bënte kontrollin e saktë të mishit që tregtohet, por kjo ka ngelur vetëm në projekt. Përpara disa vjetësh u përurua një thertore në Xhyherinë, rreth 10 km në lindje të qytetit, por ajo nuk u shërbeu asnjëherë kasapëve të qytetit sepse ata përpara se të shkonin të thernin në këtë thertore, pranonin ta bënin këtë në pjesën e pasme të dyqanit të tyre. Padyshim që sidomos në muajt e verës, me rritjen e temperaturave kjo është shumë e dëmshme për shëndetin e qytetarëve, sepse këto thertore jashtë kritereve bëhen edhe vendgrumbullimi mizash dhe insektesh të tjera të dëmshme, duke u bërë shkak për mundësi epidemie. Aktualisht, tregtimi i mishit dhe peshkut në këtë qytet, në të shumtën e rasteve bëhet vetëm me iniciativën e kasapëve. Ndërkohë që nga sektori i veterinarisë në bashki është një veteriner i caktuar për kontrollin e therjeve, por siç tregojnë kasapët, ai mban vulën me vete në çantë dhe bredh me të dyqan më dyqan, thjeshtë sa për vendosur vulën në trupin e therur të kafshëve. Mirëpo ndërsa edhe formalisht e bën këtë tek mishi i trashë, asnjë kontroll sanitar veteriner nuk bëhet tek peshku që në të shumtën e rasteve shitet prej ambulantëve që shkojnë lagje më lagje e deri shtëpi më shtëpi. Shitja e mishit jashtë kushteve higjieno sanitare ka pasur edhe pasoja të mëdha gjatë vitit që shkoi por edhe në këtë fund-viti, teksa me sëmundjen e brucelozës, janë shtruar në spitalin rajonal më shumë se 20 pacientë, një pjesë e të cilëve nga qyteti, të cilët e kishin marrë këtë virus prej konsumit të këtyre produkteve të blera në këto kushte jashtë higjienike.