E Diel, 1 Nëntor 2026

Seria A Juventus pret Katanian e Napoli shkon ne fushen e Kievos

Gjashtë pikë largësi nga ndjekësit janë një diferencë që jep garanci, veçse kryesuesja e Serisë A nuk është nga ato që i bën këto llogari. Juventus e di se ndeshjet duhen marrë sipas radhës dhe këtë të diel në shënjestër duhet të jetë vetëm Katania.
Siçilianët janë të fortë, pavarësisht humbjes me përmbysje ndaj Interit në fushën e tyre, ndaj edhe Antonio Konte kërkon përqëndrim. Vuçiniç e Xhovinko kthehen titullarë, me Matrin e Kualjarelën që priten të jenë në stol.
Napoli e ka pak më të vështirë, pasi luan në fushën e Kievos. Ish-skuadra e Maradonës nuk jep sigurinë e bardhezinjve, por mbetet në luftë për titullin. Me Kavanin e Hamshikun në formacion, Macarri synon vetëm fitoren.
Në ndeshjet e tjera spikat ajo e mbrëmjes, mes Lacios e Fiorentinës që premton nivel të lartë e futboll të bukur. Një sfidë direkte për Championsin.
Për Ligën e Kampionëve do të luajë edhe Interi që pret në “San Siro” Bolonjën. Fitorja në Katania krijoi entuziazëm, por humbja e rëndë ndaj Totenhamit në Europa League tronditi jo pak.
Në renditje, Juventus ka 59 pikë, Napoli 53 dhe më pas vijnë Milan me 51, Inter e Lacio me 47, Fiorentina me 45 dhe Roma që ka 47 pikë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›