E Shtunë, 31 Tetor 2026

Seria A, Roma ngjitet në vend të dytë pas fitore me Fiorentinën

Nuk ndalet Roma, mes kampionatit dhe Kupës së Italisë, duke vazhduar serinë pozitive të rezultateve edhe në transfertën e Artemio Franchi. Verdhekuqtë godasin në Firence, duke mundur 1-0 Fiorentinën, rezultat ky që e vendos skuadrën e Klaudio Ranierit provizorisht në vendin e dytë, dy pikë përpara Milan, që gjithsesi ka një ndeshje për të luajtur, pikërisht kundër Fiorentinës. Ka vendosur ndeshjen 8 minuta nga fundi goli i Mirko Vucinic. Gjithsesi Roma është 8 pikë larg Inter që kryeson kampionatin me 52 pikë dhe ka një ndeshje për të rikuperuar në mesjavë.

Zikaltrit kanë shpartalluar 3-0 Cagliarin në San Siro. Kampionët e
Italisë kanë kaluar në avantazh në minutën e 6, kur Goran Pandev
depoziton në rrjetë, fare pranë portës. Ishullorët pësojnë edhe golin e
dytë 14 minuta më vonë, të shënuar nga Samuel. Cagliari mund të rifutej
në lojë, por goli i shënuar nga Alessandro Matri është vlerësuar
gabimisht nga gjyqtari në pozicion jashtë loje, pavarësisht protestave
të sardëve. Portieri i Cagliarit, Michael Agazzi, duhet të dorëzohet për
herë të tretë përballë Militos, që realizon kështu golin e 14 në 20
ndeshje.

Java sigurisht e favorshme kjo për Mourinjon, pasi edhe Milan nuk shkon
dot më shumë se barazim pa gola kundër Bolonjës, në Dall Ara. Kuqezinjtë
kanë patur disa raste për shënim, por Ronaldinho ka qenë i pafat, duke e
përplasur topin në traversë, ndërsa të njëjtin fat ka patur edhe
goditja me kokë e Massimo Ambrosinit, që godet traversën dhe nuk
ndryshon rezultatin, duke e lënë skuadrën e Leonardos 10 pikë larg
vendit të parë.

Eno Skarço

< I mëparshmi

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›