Seria A, fitojnë Interi, Fiorentina e Napoli
ROME- Seria A ka zhvilluar ndeshjet e javës së 19-të, ku pas Interit e Romës, kanë arritur të fitojnë edhe Fiorentina e Napoli. Zikaltërit e Murinjos bënë mrekullinë të shtunën në mbrëmje, duke mundur 4-3 Sienën, pas dy golave të shënuar në minutat e fundit të takimit. Për çudinë e të gjithëve, Siena ka zhvilluar një takim spektakolar, duke kaluar e para në avantazh me anë të Masimo Makarones. Milito barazoi për Interin, ndërkohë që Shnajder realizoi edhe golin e dytë në fund të pjesës së parë. Gjithsesi, skuadra e Malezanit nuk u dorëzua dhe në fund të këtij fraksioni barazoi gjithçka me Edkal. Në pjesën e dytë, kur pritej goli i Interit, ishte sërish Siena ajo që shënoi me anë të Makarones. Miqtë ishin në kryesim 2-3 deri në minutën e 88-të, por një goditje dënimi e Shnajder nga 29 metra sollin golin e barazimit, ndërsa Samuel realizoi edhe atë të fitores në minutën e dytë shtesë. Një përmbysje që solli edhe akuzat e trajnerit të Sienës Malezani, që e quajti Interin skuadër hajdute ndërsa Murinjon trajner me fat. Ndërkaq, Roma mundi 1-0 Kievon, me një gol të De Rosit në minutën e parë. Fitore edhe për Napolin, që mposhti 1-0 me Sampdorian, duke kaluar Romën dhe duke rimarrë vendin e katërt në renditje. Napoletanëve u ka mjaftuar një gol i shënuar nga Denis në minutën e 71-të. Fitore edhe për Fiorentinën, që mundi 2-1 Barin. Miqtë kaluan të parët në avantazh me Barreton, por Mutu e Kastijo përmbysën gjithçka, duke ngjitur vjollcët në kuotën e 30 pikëve. Ndërkohë Lacio nuk ka shkuar më shumë se një barazim 1-1 në fushën e Udinezes, megjithëse kaloi e para në avantazh me anë të sulmuesit të ri, Flokari. Vendasit barazuan me anë të Di Natales që në pjesën e parë dhe rezultati mbeti i pandryshueshëm. Në takimet e tjera, Palermo mundi 1-0 Atalantën, falë golit të Kavanit me penallti, ndërsa Kaljari fitoi në transfertë ndaj Bolonjës. Xhenoa ndërkohë kaloi lehtësisht 2-0 Katanian, duke realizuar nga një gol në secilën pjesë. Kjo ishte humbja e parë për skuadrën siçiliane nën drejtimin e Sinisha Mihajloviç. Ndeshja tjetër, ajo mes Livornos dhe Parmës, përfundoi me fitoren 2-1 të skuadrës vendase. SERIA A Roma-Kievo 1-0 Inter-Siena 4-3 Bolonja-Kaljari 0-1 Fiorentina-Bari 2-1 Xhenoa-Katania 2-0 Livorno-Parma 2-1 Napoli-Sampdoria 1-0 Palermo-Atalanta 1-0 Udineze-Lacio 1-1 Juventus-Milan 20.45 RENDITJA Inter 45 Milan 34 Juventus 33 Napoli 33 Roma 32 Fiorentina 30 Palermo 30 Parma 28 Xhenoa 27 Bari 27 Kaljari 27 Sampdoria 26 Kievo 24 Livorno 21 Lacio 20 Udineze 19 Bolonja 16 Katania 15 Atalanta 13 Siena 12 (e.n/A.Latifi/BalkanWeb)