E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjykatë, proceset shtyhen pambarimisht

Proceset
Te Krimet e Rënda u shty Banda e Lushnjës. Në shkallën e parë procesi ndaj Lavdërim Tufës, e mjekut Xhevahir Hoxhallari

Vazhdojnë shtyrjet e proceseve në masë në gjykatat shqiptare. Gjatë ditës së djeshme ishin parashikuar të zhvilloheshin disa procese të rëndësishme në Gjykatën e Krimeve të Rënda dhe në atë të Tiranës. Por, të gjitha kanë dështuar. Fillimisht, gjykata shtyu procesin gjyqësor ndaj Lavdërim Tufës, i cili po rigjykohet në shkallën e parë, pasi u shpall fajtor dhe u dënua me burgim të përjetshëm nga Krimet e Rënda. Shkak është bërë avokati i të pandehurit. Disa minuta më vonë, kësaj here në Gjykatën e Krimeve të Rënda, trupi gjykues ka shtyrë procesin gjyqësor ndaj Bandës së Lushnjës. Asnjë prej të pandehurve nuk ishte në sallë, ndërsa mungesa e avokatëve ishte në masë. Plot katër avokatë kanë munguar, duke lënë pa mbrojtje të pandehurit. Dikush ishte jashtë shtetit, dikush me raport mjekësor. Në këtë situatë, kreu i Kolegjit Penal e shtyu procesin me shpresën se pas dy javëve palët do të jenë prezentë. Ndërkohë, Gjykata e Tiranës ka shtyrë edhe procesin gjyqësor ku akuzohet mjeku Xhevahir Hoxhallari. Kësaj here nuk kanë qenë avokatët shkaktarë të dështimit të procesit, por organi i prokurorisë. Përfaqësuesi i akuzës kërkoi shtyrjen, pasi ka indicie se ekziston edhe një provë e re.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›