E Shtunë, 31 Tetor 2026

Seriali biometrik

Pas disa shtyrjeve, sërish një afat i ri. Tash premtohet se pasaportat biometrike do të prodhohen në tetor. Kompania është përzgjedhur. Por Ministria e Punëve të Brendshme nuk bëri publike se cili është çmimi i tenderit e as sa do të paguajnë qytetarët për pasaportë. Nga Jeton Musliu më 20 maj 2011 në ora 08:18

Tregimi për pasaportat biometrike të Kosovës, është i hershëm. Ky rrëfim ka nisur që në vitin 2009, atëherë kur në krye të Ministrisë së Punëve të Brendshme ishte Zenun Pajaziti. Bashkë me premtimet për dhënien e targave të reja, këto ishin dy lajmet më të shpeshta që dilnin nga kjo ministri. Por që nga ajo kohë, më para u ndërrua vetë ministri, sesa që kosovarët panë pasaportat me standarde të nivelit evropian.

Por derisa tregimi për targa dikur mori fund, ky me pasaportat biometrike ende vazhdon.
Premtimet se këto pasaporta do të prodhohen vitin e kaluar, nuk doli të ishte i saktë, sado që afati për prodhimin e tyre nga zyrtarët e ministrisë, shtyhej herë për pranverë e herë për vjeshtë. Tash, për prodhimin e këtyre lloj të pasaportave, që janë vetëm njëri prej shum kritereve për liberalizim të vizave, del të jetë tetori.

Kështu së paku u shpreh të enjten, Bajram Rexhepi, ministër i Punëve të Brendshme të Kosovës.

Këtë premtim, ai e dha pas takimit që pati së bashku me ministren e Integrimeve Evropiane, Vlora Çitaku, me Grupin Punues për Liberalizim të Vizave.

Drejtues të Ministrisë së Punëve të Brendshme po ashtu sqaruan se tashmë është përzgjedhur kompania fituese për prodhimin e pasaportave biometrike dhe se pajisja e qytetarëve me këtë dokument, do të fillojë në muajin tetor.

“Kjo do të bëhet në rast se gjatë procedurave ligjore nuk haset në ndonjë parregullsi”, thonë për Express, zyrtarë të Zyrës për Komunikim me media.

Pavarësisht kësaj, ministri Rexhepi ka shprehur zotimet se tij se në pjesën e parë të vitit 2012, institucionet e Kosovës do të plotësojnë kushtet teknike për liberalizmin, ndërkohë që prodhimi i pasaportave të para biometrike, si një ndër kriteret e këtij procesi, pritet të bëhet kah fundi i këtij viti.

Në fakt, detaje për këtë çështje nuk mund të bëhen publike e në këtë rast, as sa ka kushtuar tenderi për prodhimin e këtij dokumenti, apo se sa do t’i kushtojë një pasaportë biometrike xhepit të një shtetasi të Kosovës.

“Komisioni vlerësues ka përzgjedhur kompaninë fituese për pasaportat biometrike, tash janë procedura ligjore të ankimimit dhjetë ditë, kurse OSHP ka në dispozicion tridhjetë ditë nëse ka vërejtje nga ndonjë kompani tjetër dhe nëse çdo gjë shkon mirë, mund të presim që deri ka tetori të fillojë prodhimi i pasaportave biometrike”, u shpreh Rexhepi.

Ai ka ritheksuar edhe një herë se Kosova ndodhet në një fazë të shumë të avancuar të përmbushjes së kritereve për liberalizim, ndërkohë ka shprehur shqetësimin se dështimi i shteteve të rajonit në kryerjen e detyrave të tyre mund të vendoset si kriter shtesë për Kosovën.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›