E Diel, 1 Nëntor 2026

PE mbështet Kosovën në rrugën drejt BE-së

Nga Express më 19 maj 2011 në ora 16:41

Kryesuesi i delegacionit të Parlamentit Evropian, Eduard Kukan, ka thënë se PE përkrah procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian dhe perspektivën evropiane për të gjitha vendet e Ballkanit dhe i jep mbështetje Kosovës në rrugën e saj drejt BE-së.

Ai këto komente i bëri gjatë një takimi të enjten në Prishtinë me presidenten e Kosovës Atifete Jahjaga, të cilën e ka përgëzuar për zgjedhjen e saj në krye të vendit dhe e njoftoi atë për fillimin e takimit të katërt ndërparlamentar ndërmjet PE-së dhe Kuvendit të Kosovës.

Kukan tha se Kosova duhet të thellojë procesin e reformave dhe posaçërisht të punojë në ndryshimin e ligjit për zgjedhjet. Ai tha se BE-ja i kushton një rëndësi të veçantë dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Anëtarët e delegacionit të Parlamentit Evropian theksuan se i kanë shtuar përpjekjet e tyre për të përshpejtuar procesin e dialogut për liberalizimin e vizave për Kosovën dhe vlerësuan se institucionet e Kosovës duhet të bëjnë më shumë në përmbushjen e obligimeve për fillimin e dialogut për vizat.

Ndërsa, presidentja Jahjaga shprehu përkushtimin e saj që të punojë me institucionet dhe shoqërinë në fushën e rendit dhe të ligjit, dhe në veçanti në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Ajo e ka quajtur të nevojshme që të konsolidohet prania e BE-së në Kosovë dhe kërkoi heqjen e referencës 1244 për Kosovën, të cilën e ka vënë në përdorim BE-ja, me qëllim të formalizimit të marrëdhënieve ndërmjet BE-së dhe Kosovës.

Presidentja Jahjaga tha se është me rëndësi që deri në fund të vitit Kosova të hyjë në marrëdhënie kontraktuale me BE-në meqë kjo do të ndihmonte në reformat e brendshme.

“Kosova duhet të ketë trajtim të barabartë nga BE-ja sikurse edhe të gjitha vendet e tjera të BE-së”, ka thënë Jahjaga, duke shtuar se është i nevojshëm pranimi i Kosovës edhe nga pesë vende anëtare të BE-së që hezitojnë të pranojnë realitetin e ri të krijuar në vend pas shpalljes ë pavarësisë.

Presidentja tha se Kosova është e përkushtuar që të përmbushë obligimet e saj me qëllim që të hapet procesi i dialogut për liberalizim të vizave për qytetarët e vendit, duke e kaluar këtë çështje nga rrafshi politik në atë teknik.

Ndërsa, duke folur për dialogun me Serbië, kreu i vendit theksoi se ky proces duhet t’u shërbejë të dyja shteteve që të ecin përpara dhe të vendosin marrëdhënie të mira fqinjësore. Jahjaga theksoi se të gjitha zgjidhjet duhet të jenë në përputhje me Acquis Communitaire dhe praktikat e standardet evropiane.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›