E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ahmeti përforcon Renovën

Liridon Ahmeti ka vendosur që karrierën ta vazhdojë në elitën e futbollit maqedonas. Ai ka nënshkruar kontratë njëvjeçare me skuadrën e Renovës. Bashkë me katër lojtarët e tjerë kosovarë, futbollisti vushtrriasi shpreson ta ndihmojë ekipin nga Xhepçishti të stoliset me titullin e kampionit. Nga Valon Konushevci më 18 korrik 2011 në ora 12:03

Renova vazhdon të përforcohet me futbollistë kosovarë. Skuadra shqiptare e Maqedonisë i ka siguruar shërbimet e futbollistit vushtrrias, Liridon Ahmeti, i cili së fundmi ka luajtur në Shqipëri, tek ekipi i Shkumbinit nga Peqini.

Ish-mbrojtësi i Kosovës (V), Flamurtarit e Trepçës ka nënshkruar kontratë njëvjeçare me klubin nga Xhepçishti, i cili në edicionin e ri do të luftojë për titullin e kampionit të Maqedonisë.

“Kam nënshkruar kontratë për një vit me Renovën, me mundësi të vazhdimit të saj. Jam i kënaqur me kushtet që m’i ka ofruar kjo skuadër, për të cilën do ta jap maksimumin nga vetja ime në sezonin e ri”, deklaroi Ahmeti për Express.

Në fakt, skuadra finlandeze PK-35, por edhe dy ekipe të tjera nga Shqipëria kishin zgjuar interesim për vushtrriasin. Por, ky i fundit kishte vendosur t’i bashkohet Renovës, e cila udhëhiqet nga strategu kosovar, Bylbyl Sokoli.

“E zgjodha Renovën, sepse aty sigurisht se do të ndihem shumë mirë. Do të punoj me një trajner shumë të mirë siç është profesor Bylbyl Sokoli. Profesori ka qenë njeriu kryesor që më ka shtyrë të nënshkruaj kontratë. Unë do ta jap maksimumin nga vetja ime në mënyrë që ta shpaguaj besimin e Sokolit”, u shpreh Ahmeti.

Përveç Sokoli, Ahmeti është bërë futbollisti i pestë kosovar i kësaj skuadre, pas Faruk Statovcit, Fisnik Gashit, Samir Sahitit dhe Festim Krasniqit.

“Gëzohem kur kujtoj se aty do t’i kem edhe katër shokë të tjerë nga Kosova. I njoh shumë mirë të gjithë ata dhe kemi raporte shumë të mira. Po ashtu, edhe me lojtarët e tjerë të ekipit besoj se do të kalojmë mirë”, vazhdoi Ahmeti, i cili mbetet me shpresë që ekipi i tij i ri sivjet ta fitojë titullin e kampionit maqedonas.

“Sa isha atje, u njoftova se skuadra është bërë gati për të luftuar për titull të kampionit. Shpresoj ta arrijmë objektivin dhe unë do ta jap maksimumin nga vetja ime dhe të njëjtën gjë besoj se do ta bëjnë të gjithë lojtarët”, përfundoi ai.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›