Albana Vokshi: PD ka rritur përfaqësimin e grave në vendimmarrje.
Lidhja Demokratike e Gruas zgjedh strukturat e reja drejtuese në Gjirokastër dhe Tepelenë
Kryetarja e Lidhjes Demokratike të Gruas së Shqipërisë, deputetja Albana Vokshi deklaroi në Gjirokastër se mazhoranca qeverisëse e drejtuar nga demokratët ka rritur vëmendjen ndaj politikave që favorizojnë pjesëmarrjen e grave dhe vajzave në të gjitha proceset vendimmarrëse. Znj. Vokshi tha se forumi i gruas në Partinë Demokratike ka lobuar në qeveri dhe parlament për zbatimin e kuotës së përfaqësimit të gruas dhe fuqizimin e statusit të saj edhe në shoqëri. Lidhja Demokratike e Gruas theksoi Vokshi është një faktor shumë i rëndësishëm në të gjitha proceset politike në vend dhe se angazhimi i saj në procesin zgjedhor të 2013 do të rikonfirmojë një mandat të ri qeverisës për Partinë Demokratike. Deklaratat e deputetes Vokshi u bënë gjatë Kuvendit të Lidhjes Demokratike të Gruas, dega Gjirokastër, punimet e së cilës i ndoqi nga afër edhe ministri Genc Ruli, njëkohësisht deputet i qarkut Gjirokastër. Lidhja Demokratike e Gruas së Shqipërisë mbajti edhe Kuvendin e degës Tepelenë, nga ku u zgjodhën strukturat drejtuese të këtij forumi. LDGSH është përfshirë në një proces riorganizimi në të gjitha degët e saj, në të gjithë Shqipërinë dhe numëron mbi 16 mijë anëtare. LDGSH është organizata më e madhe politike e grave në vend që promovon barazinë gjinore, mbrojtjen e të drejtave të grave dhe vajzave, fuqizimin e statusit të gruas në nivelet vendim-marrëse, të shprehura edhe në programin e Partisë Demokratike, formacionit politik që qeveris vendin.