E Diel, 1 Nëntor 2026

Benedikti XVI Kishës kolumbiane: “Të ungjillëzohen popujt indigjenë”

19-09-2012 / Gazeta 55

Benedikti XVI kërkon kujdes më të madh në ungjillëzimin e popujve indigjenë në Kolumbi. Vullneti i Papës u bë publik me anë të letrës “Statusi i popujve indigjenë në Kolumbi”, e cila u është dërguar meshtarëve dhe besimtarëve katolikë. Ipeshkvijtë lokalë shpjeguan se Ati i Shenjtë i fton t’i shohin popujt indigjenë si subjekte të ungjillëzimit, që duhen shoqëruar në udhën e njohjes së Krishtit. Papa tërheq vëmendjen për metodat e kriteret, me të cilat të krishterët u afrohen këtyre popujve dhe kërkon rishikimin e tyre. Duhet kuptuar si të arrijmë, përmes Ungjillit, në botëkuptimin kozmologjik e në traditën e indigjenëve, shkruan Benedikti XVI. Pikërisht dje, përfundoi në Vatikan, vizita “ad Limina” e një grupi prelatësh kolumbianë, e cila pati filluar më 1 shtator. Edhe ajo kontribuon në gjallërimin e impenjimit të Kishës në Kolumbi për pajtimin e vendit, pas luftës së përgjakshme civile. Kryeipeshkvi i Kalisë, imzot Dario de Jesus Monsalve Mejia flet për Radio Vatikanin: “Ati i Shenjtë na nxiti të realizojmë programin e Konferencës Ipeshkvnore Kolumbiane, pika thelbësore e të cilit është pa dyshim, formimi i bashkësive të vogla, si ato që në Aparesida të Brazilit, Papa i quajti “Bashkësitë e dishepujve misionarë”. Ky pra, do të jetë realiteti më i rëndësishëm: pasi takohet për herë të parë Jezusi, hyhet në procesin e kthimit të zemrës e kështu, formohen bashkësi besimtarësh, me të cilat merret veprimtaria baritore-misionare e Kishës. Projekti i Kishës kolumbiane bazohet kryesisht mbi familjen, siç na këshilloi Papa. Familja, bashkësia dhe shoqëria duhet të jenë gjithnjë në plan të parë për Kishën dhe objektiv kryesor i të gjitha planeve baritore. Ne kemi probleme të mëdha, pasi njerëzit shpesh jetojnë sikur Zoti të mos ekzistonte, ose besojnë në një Zot, që u përgjigjet vetëm interesave të tyre personale. Rezultati më shqetësues i këtij botëkuptimi është trafiku i drogës e dhuna, madje, edhe me pranimin e vrasjeve e të masakrave”.
Papa Benedikti XVI emëron etërit sinodalë për Asamblenë e ardhshëm të ipeshkvijve mbi ungjillëzimin e ri/Benedikti XVI ka emëruar Etërit sinodal të Asamblesë së Përgjithshme të Rregullt të Sinodit të Ipeshkvijve, që do të mbahet nga data 7 deri më 28 tetor 2012, mbi temën “Ungjillëzimi i ri për transmetimin e fesë së krishterë”. Po përmendim vetem disa nga lista e gjatë e etërve sinodalë. Nga kardinajt: Angelo Sodano, dekan i Kolegjit kardinalor; Joachim Meisner, kryeipeshkëv i Këlnit të Gjermanisë; Vinko Puljiç, kryeipeshkëv i Sarajevës, Bosnje-Hercegovinë; Polycarp Pengo, kryeipeshkëv i Dar-Es-Salaam nga Tanzania, president i Simpoziumit të Konferencës Ipeshkvnore të Afrikës e Madagaskarit; Christoph Schonborn, kryeipeshkëv i Vjenës së Austrisë; Goerge Pell, kryeipeshkëv i Sidnéjt të Australisë; Josip Bozaniç, kryeipeshkëv i Zagrebit të Kroacisë; Péter Erdë, kryeipeshkëv i Estergom-Budapestit të Hungarisë, president i Këshillit të Konferencave Ipeshkvnore Evropiane (C.C.E.E.); Agostino Vallini, vikar i Përgjithshëm i Shenjtërisë së Tij për dioqezën e Romës; Luìs Martìnez Sistach, kryeipeshkëv i Barcelonës së Spanjës; André Vingt-Trois, kryeipeshkëv i Parisit të Francës; Oswald Garcias, kryeipeshkëv i Bombeit të Indisë, sekretar i përgjithshëm i Federatës së Konferencës së Ipeshkvijve të Azisë (F.A.B.C.).
Pastaj, emrat e prelatëve të emëruar për mbledhjen e nivelit të lartë sinodale: Francesco Moraglia, patrik i Venedikut, John Olorunfemi Onayekan, kryeipeshkëv i Abùxhës së Nigerisë; Hector Ruben Aguer, kryeipeshkëv i La Plata të Argjentinës, Antonio Arregui Yarza, kryeipeshkëv i Guayaquil të Ekuadorit, John Atcherlet Dew, kryeipeshkëv i Wellingtonit të Zelandës së Re; José Octavio Ruiz Arenas, sekretar i Këshillit papnor për Promovimin e Ungjillëzimit të Ri; José Horacio Gòmez, kryeipeshkëv i Los Anxhelesit; Bernard Longley, kryeipeshkëv i Birmingemit të Britanisë Madhe e shumë shumë të tjerë.
Dokumentar i ri për 50-vjetorin e Koncilit II të Vatikanit/Me qëllimin për ta bërë të njohur edhe për ata, që nuk ishin të pranishëm, ose e njohin pak, Këshilli Papnor i Komunikimeve Shoqërore do të paraqesë një film dokumentar mbi Koncilin II të Vatikanit, në 50-vjetorin e kësaj ngjarjeje të rëndësishme për Kishën Katolike.
“Në Filmotekën e Vatikanit – shpjegoi për gazetarët kreu i Këshillit, imzot Klaudio Maria Çeli – kemi rreth 200 orë filmime origjinale, para hapjes së Koncilit. Falë një pune shumë të madhe përzgjedhëse, kemi realizuar 12 orë material filmik të panjohur”. Më 11 tetor, pikërisht 50 vjet pas fillimit të Koncilit II të Vatikanit, RAI – Radio Televizioni Italian do të transmetojë një sintezë prej 1 ore e 50 minutash, në dy pjesë. Data e dytë akoma nuk është përcaktuar. Përveç materialit të Filmotekës, RAI ka përdorur edhe filmime të Arkivit Sekret të Vatikanit. “Tundimi – sqaroi imzot Çeli – mund të na nxiste për një film thjesht festiv, por deshëm ta pasuronim me 14 intervista të kardinajve, patrikëve dhe kryeipeshkvijve të vendeve të ndryshme të botës… Qëllimi është të shihet si u kuptua Koncili II i Vatikanit edhe në Afrikë, në Amerikën Latine e në Kishat Lindore. Vetë prelatët shpjeguan si u perceptuan dokumentet më të rëndësishme të Koncilit, duke na dhënë kështu një panoramë kulturore e kishtare shumë të pasur”. Ndër imazhet e filmit dokumentar, edhe fjala e mbajtur nga ipeshkvi i atëhershëm, imzot Karol Vojtila, zgjedhur më pas në fronin e Shën Pjetrit. Pastaj, etërit konciliarë, që nënshkruajnë dokumentet, intervista me sekretarin e veçantë të Papës Gjoni XXIII, imzot Loris Kapovila, etj.. Ky film dokumentar, shpjegoi imzot Çeli, do të “paketohet” sipas kërkesave të Konferencave të ndryshme Ipeshkvnore dhe të Kishave lokale, edhe në dvd, më të shkurtra ose më të gjata, si të jetë e nevojshme. Do të njihen me të edhe etërit e Sinodit të ardhshëm për Ungjillëzimin e Ri. Filmi dokumentar hapet me një hyrje historiko-teologjike të gazetares Vania De Luka, ndërsa teologu italian Marko Vergotini e udhëheq shikuesin në interpretimin e përmbajtjes së seksioneve të ndryshme.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›